Ballina Flash

Përkujtohet Kol Idromeno, artisti multidimensional

TIRANË, 12 dhjetor/ATSH/ Muzeu Historik Kombëtar përkujton sot Nikollë Idromenon, i njohur si Kol Idromeno, piktor, arkitekt, urbanist, fotograf, skenograf, muzikant, kompozitor këngësh popullore dhe operatori i parë i filmave dokumentarë në Shqipëri, që më 1912.

Kol Idromeno lindi më 15 gusht 1860 në Shkodër. Thuhet se familja e tij ishte nga më të njohurat e Pargës në Çamëri. I ati, Arsen Idromeno, kishte ardhur në Shkoder nga ishulli Hidro i banuar nga arbëreshët e Greqisë. Kola filloi të pikturonte që kur ishte fëmijë. Mësimet për vizatim i mori duke qëndruar pranë fotografit të njohur të qytetit, Pietro Marubi, i cili e ndihmoi Kolën për të ndjekur studimet për pikturë në Venecia. Por, i pa mësuar me disiplinën në shkollë, pas 6 muajsh, Kol Idromeno braktisi mësimet dhe filloi të punonte pranë piktorëve dhe artistëve vendas.

Pasi kthimit në Shkodër më 1871, ai realizoi pikturat e para; një prej të cilave “12 luftëtarët e Pargës në lundër” në përkujtim të largimit të paraardhësve nga Parga drejt Himarës. Në vitin 1883, Idromeno realizon veprën “Motra Tone”, portreti i parë psikologjik i pikturës realiste të periudhës së Rilindjes shqiptare.

Nga fundi i shekullit 19-të dhe fillimi i shekullit të 20-të, pikturat e Idromenos u shfaqën në ekspozita të ndryshme ndërkombëtare si në Budapest, Romë, Bari, Nju-Jork etj. Fusha të tjera ku Idromemo spikat janë skulptura dhe arkitektura, me rreth 60 ndërtime private e publike në Shkodër të projektuara prej tij. Ai vdiq më 12 dhjetor 1939.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPartia e Lirisë: Institucionet nuk e kanë marrë seriozisht rrezikun e përmbytjeve
Artikulli tjetërMbi 13 mijë pacientë përfituan shërbimin e paketave shëndetësore falas