TIRANË, 9 dhjetor /ATSH/ Raporti i kredive me probleme shënoi rënie në muajin tetor, duke prekur një nivel të ri minimal në dekadën e fundit.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, ky tregues zbriti në nivelin 5%, nga 5.06% që kishte qenë në fund të muajit shtator. Rënia e kredisë me probleme po ndikohet nga rritja e portofolit të kredisë, por edhe nga fakti që pasojat e inflacionit të lartë ende nuk janë përcjellë plotësisht në treguesit e prodhimit dhe të punësimit.
Portofoli i kredisë për ekonominë po vazhdon të ruajë ritme dyshifrore të rritjes. Në fund të muajit tetor, vlera totale e portofolit arriti në 722.3 miliardë lekë, në rritje me 11% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kredia e re këtë vit vazhdon të shfaqë nivelet më të larta në të paktën shtatë vitet e fundit, pavarësisht një tendence ngadalësuese pas muajit shtator. Vijimësia e rritjes së kredisë është një faktor i rëndësishëm në ruajtjen e një tendence rënëse të kredive me probleme, sepse mundëson që për të njëjtën vlerë të kredive joperformuese pesha e tyre specifike të jetë më e ulët. /j.p/












