Ballina Aktualitet

Shqipëri-Mongoli, zgjerim i bashkëpunimit ekonomik

TIRANË, 30 nëntor/ATSH/ Një delegacion i Grupit Parlamentar të Miqësisë Mongoli-Shqipëri, i kryesuar nga Baagaa Battumur, zhvilloi në datën 27 nëntor një vizitë në Kuvendin e Shqipërisë.

Delegacioni u prit nga deputetët Bardhyl Kollçaku, Mirela Pitushi dhe Ilir Pendavinji.

Gjatë takimit u diskutua mbi intensifikimin e marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimit mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Parlamentit të Mongolisë, duke avancuar traditën e mirë të bashkëpunimit mes grupeve të miqësisë. Në Parlamentin e Mongolisë të përbërë nga 76 deputetë, grupi i miqësisë Mongoli-Shqipëri është ndër grupet më të mëdhenj dhe përbëhet nga 18 deputetë.

Bashkëpunimi parlamentar do të nxisë edhe marrëdhëniet dypalëshe, duke zgjeruar bashkëpunimin ekonomik, tregtar, social, kulturor, turistik etj.

Kollçaku vlerësoi faktin që Mongolia njeh dokumentet e udhëtimit të lëshuara nga institucionet zyrtare të Republikës së Kosovës dhe i kërkoi delegacionit parlamentar mongol njohjen zyrtare nga Mongolia të Republikës së Kosovës.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Miqësisë, Baagaa Battumur, shprehu mirënjohjen për faktin se Shqipëria ka qënë vendi i parë europian që në vitin 1949 vendosi marrëdhëniet diplomatike me Mongolinë.

“Shqipëria dhe Mongolia kanë një bashkëpunim shumë të mirë në organizatat ndërkombëtare dhe kanë dënuar agresionin e Rusisë kundër Ukrainës dhe ky bashkëpunim do të vijojë edhe në të ardhmen”, thuhet në njoftimin për shtyp të Kuvendit.

/m.m/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakManastirliu: Mbi 57 mijë urgjenca në Spitalin Universitar të Traumës nga janari
Artikulli tjetërBerisha: Samiti i 6 dhjetorit në Tiranë, përzgjedhje gjeostrategjike me rëndësi historike