ZAGREB, 24 shtator /ATSH-ANSA/ – Presidentja kroate Kolinda Grabar-Kitaroviç ftoi maqedonasit të votojnë në favor të marrëveshjes me Greqinë për emrin e ri të vendit të tyre (Maqedonia e Veriut), në referendumin e 30 shtatorit.
‘’Jepini vendit një ‘po’ për atë që bashkësia ndërkombëtare ka vendosur si kusht për të përshpejtimin e rrugës së Maqedonisë drejt BE-së dhe NATO-s”, thekson Kitaroviç.
“Të dashur miq, Kroacia ju mbështet plotësisht në referendumin e ardhshëm. Ju jeni pjesë e familjes së Bashkimit Europian dhe NATO-s dhe Kroacia është gati për t’ju ndihmuar në këtë udhëtim duke ndarë me ju përvojën tonë “, tha presidentja kroate në një videomesazh.
‘’Referendumi është një mundësi për qytetarët maqedonas për të ndihmuar në forcimin e stabilitetit e progresit në të gjithë rajonin e Europës Juglindore’’, shtoi ajo.
Thirrje të ngjashme në favor të ”po”-së kanë bërë në javët e fundit edhe shumë liderë të tjerë europianë dhe ndërkombëtarë./ /os/ a.jor.













