Ballina Aktualitet

Vokshi: Primaret do të zhvillohen në 72 degët e PD-së

TIRANË, 2 nëntor /ATSH-I.Vata/ Kryetarja e Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale, Albana Vokshi deklaroi sot se primaret do të zhvillohen në 72 degët e Partisë Demokratike.

Vokshi tha se çdo qytetar mund të regjistrohet si simpatizant në afatet e përcaktuara dhe të vendosë të votojë për kandidatin për qytetar të parë në bashkinë ku jeton.

“Ajo që unë dua të theksoj është fakti që primaret janë një process gjithëpërfshirës. Është risi. Për herë të parë është aplikuar nga Partia Demokratike në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit, në 6 bashkitë ku u zhvilluan zgjedhjet. Por tashmë primaret do të zhvillohen në 72 degët e Partisë Demokratike. Ato jo vetëm nuk lënë jashtë askënd, por kushdo që beson që ka mbështetje në elektoratin opozitar, por jo vetëm, mund të kandidojë sipas rregullave të caktuara që ne do t’i shpjegojmë edhe sot. Çdo qytetar që beson se vota e tij vlen mund të regjistrohet si simpatizant në afatet e përcaktuara dhe të vendosë të votojë për kandidatin për qytetar të parë në bashkinë ku jeton”, u shpreh Vokshi.

“Primaret janë themeli i besueshmërisë së Partisë Demokratike, e cila lindi dhe vazhdon të jetë parti e votës së lirë, parti e njerëzve të lirë. Primaret do t’u tregojnë edhe një herë qytetarëve, përtej Partisë Demokratike, se ne jemi alternativa më e mirë për të qeverisur jo vetëm bashkitë, por për të qeverisur vendin”, tha ajo.

Anëtarja e KOKOE, Fatbardha Kadiu theksoi se afati i fundit për dorëzimin e dokumentacionit të kandidatit për primare për bashkitë Tiranë, Durrës dhe Elbasan është data 6 nëntor, ora 20:00. Për të gjitha bashkitë e tjera është 8 nëntor, ora 20:00.

Ajo theksoi se, pas këtij afati nuk do të pranohet asnjë aplikim pasi dokumentacioni do i kalojë kryesisë së Partisë Demokratike për vlerësimin e kandidaturave dhe është data 13 nëntor kur kryesia e PD bën lancimin e kandidatëve.

Bazuar në nenin 12 të statutit të PD, pika 3, kandidatët kanë tre opsione: mund të vetëpropozohen; të propozohen nga anëtarësia; mund të jenë propozime nga vetë kryesia e Partisë Demokratike.

Afati i fushatës është një afat përafërsisht 21-ditor.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakVeliaj: Bursa në qendrën TUMO për fëmijët e familjeve në nevojë
Artikulli tjetërBalluku: 136 aplikime për panele diellore në 24 orë