TIRANË, 28 shtator/ATSH/ Drejtoritë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore vijojnë çdo ditë punën për mirëmbajtjen e monumenteve të kulturës.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti publikoi sot foto në rrjetet sociale nga pllakat shënjuese që janë vendosur së fundmi në qytetin e Shkodrës.
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër pak kohë më parë nisi emërtimin e të gjithë banesave me status “Monument kulture”.
Punimi artizanal dhe unifikimi i sinjalistikës për banesat pasuri kulturore në qytetin e Shkodrës, do të bëjë të mundur evidentimin e vlerave dhe rëndësisë që kanë këto ansamble arkitektonike në aspektin e trashëgimisë.
Nëpërmjet aplikimit të punimit artizanal të pllakatave të mermerit, do mundësohet evidentimi i këtyre monumenteve të kulturës dhe trashëgimisë.
Kjo punë do të sjellë lehtësi si për vizitorët vendas, ashtu dhe për turistët për orientimin e tyre në qytet, si dhe për identifikimin e objekteve që përbëjnë interes për ta.
Vendosja e pllakave bëhet në kuadër të hartëzimit të të gjitha banesave me status “Monument Kulture”.


























