Ballina Flash

Qendër e re shëndetësore për 1000 banorët e Polisit në Librazhd

TIRANË, 25 shtator /ATSH/ Mbi 1000 banorë të njësisë administrative Polis në qytetin e Librazhdit kanë tashmë një qendër të re shëndetësore.

Drejtuesi politik i qarkut Damian Gjiknuri, njëherësh dhe Sekretar i Përgjithshëm i PS i shoqëruar dhe nga Kryetari i Bashkisë së Librazhdit, Kastriot Gurra inspektoi përfundimin e punimeve që u kryen për ndërtimin e Qendrës Shëndetësore.

“Shërbimi shëndetësor, arsimi për fëmijët, janë elementët më socialë për të cilat ka nevojë shoqëria. Është një punë e mirë që u shërben banorëve”, theksoi Gjiknuri.

Rikonstruksioni i Qendrës Shëndetësore u bë i mundur falë mbështetjes së Fondacionit “Mirësia”. Kryebashkiaku Kastriot Gurra nënvizoi se kjo është qendra e tretë shëndetësore që  është ndërtuar në Njësinë Administrative Polis.

“Godina këtu është ndërtuar nga e para. Për fat të mirë kemi njerëz të cilët nuk e kanë braktisur zonën. Ky investim ishte shumë i nevojshëm. Ne kemi marrë investime nga qeveria shqiptare. Kontributi i Korabit dhe Fondacionit “Mirësia” është shumë i rëndësishëm dhe unë i falënderoj dhe në emër të banorëve sepse na janë gjendur”, deklaroi Gurra.

Ndërhyrja në këtë qendër shëndetësore ishte e nevojshme, pasi ishte tërësisht e amortizuar. Tashmë qendra e re shëndetësore ofron shërbime në kushte optimale për banorët e njësisë Polis në Librazhd.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMSHMS: 23 të infektuar me COVID-19 në 24 orët e fundit
Artikulli tjetërANALIZË – Lufta në Ukrainë rrit pandalshëm çmimin e bukës në Evropë