TIRANË, 2 shtator/ATSH/ Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro deklaroi sot se samiti i radhës së “Ballkanit të hapur” në kuadër të së cilës u mbajt edhe Panairi i Verës që po mbahet në Beograd ka të bëjë drejtë për drejt me turizmin.
Kumbaro tha se konteksti i këtij samiti bëhet pikërisht për turizmin, që u lajmërua që në samitin e shkuar, një ritual që filloi nga Beogradi dhe do të vijojë me vende të tjera të Ballkanit Perëndimor.
“Praktikisht vera dhe ushqimi janë pjesë e traditave tona. Është duke u bashkuar në një treg dhe ofertë të përbashkët, por sidomos në një komunikim të përbashkët përmes këtyre elementëve që janë njëkohësisht edhe ekonomik, dhe bujqësi, por edhe kulturë se shprehin në të njëjtën kohë një pjesë të traditave tona që nuk kanë qenë ndonjëherë pjesë e axhendave dhe kartëvizitës me të cilën “Ballkani i hapur” do që t’i paraqitet, jo thjeshtë rajonit, por edhe Europës dhe botës”, nënvizoi Kumbaro.
Ministrja tha se është e rëndësishme që nisma të shihet jo vetëm si një moment të shkëmbimit ekonomik, por edhe si një moment emancipimi shumë të rëndësishëm pasi turizmi është komunikim.
“Nga ana tjetër ne jemi vende të vogla, dhe si vende të vogla për ta zhvilluar turizmin si një degë të rëndësishme ekonomike, dhe kjo duke folur për Shqipërinë, pa dilemë është ekonomia e sotme dhe e së ardhmes. Ne kemi nevojë që t’i hapim tregjet dhe kufijtë për turistët të cilët kur vijnë sidomos nga vende të largëta që ne duam t’i tërheqim siç është Azia apo SHBA, nuk vijnë vetëm në Shqipëri, Mal të Zi apo Kosovë. Vijnë për të ardhur në Ballkan. Prandaj kjo platformë e re e “Ballkanit të hapur” nuk është thjeshtë një platformë politike, por platformë në shërbim të një komuniteti shumë më të gjerë, qoftë biznesit, qoftë promovimit të vendeve tona me një kartëvizitë të re”, tha Kumbaro.
Ministrja shton se “kjo është një kthesë shumë e rëndësishme për të luftuar dhe përballur me paragjykimet dhe me njollat e errëta të historisë që vetë Ballkani ka prodhuar, por për t’iu shfaqur botës me një fytyrë të re që është ajo e komunikimit, e turizmit, traditës dhe është më shumë emancipuese për vetë banorët e “Ballkanit të hapur”.
/r.e/






































