TIRANË, 29 gusht/ATSH/ Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër ka nisur punën për emërtimin e të gjithë banesave me status “Monument kulture”.
Punimi artizanal dhe unifikimi i sinjalistikës për banesat pasuri kulturore në qytetin e Shkodrës, do të bëjë të mundur evidentimin e vlerave dhe rëndësisë që kanë këto ansamble arkitektonike në aspektin e trashëgimisë.
Petrit Bilali, skulptor pranë DRTK Shkodër, ka realizuar mjeshtërisht prerjen, gdhendjen, skalitjen dhe së bashku me ekipin e DRTK po vendosin pllakat shënjuese.
Nëpërmjet aplikimit të punimit artizanal të pllakatave të mermerit, do mundësohet evidentimi i këtyre monumenteve të kulturës dhe trashëgimisë. Kjo punë do të sjellë lehtësi si për vendasit, ashtu dhe për turistët në orientimin e tyre në qytet, si dhe për identifikimin e objekteve që përbëjnë interes për ta. Vendosja e pllakave bëhet në kuadër të hartëzimit të të gjithë banesave me status “Monument Kulture”.
/r.e/

























