Ballina Aktualitet

Alibeaj: Dekomunistizimi duhet të marrë fund

TIRANË, 29 gusht /ATSH-I.Vata/ Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj ka reaguar sot për shfaqjen e simboleve të komunizmit në festivalit “Sunny Hill”.

Në një postim në rrjetet sociale, Alibeaj  shprehet se shfaqja e simboleve të diktaturës nuk është e rastësishme.

“Është për të ardhur keq që asnjë nga organizatorët, përfshirë bashkinë e Tiranës dhe qeverinë nuk kanë reaguar ende për këtë akt të paprecedentë. Shfaqja e simboleve të komunizmit nuk është diçka e rastësishme në një vend që ka vuajtur gjatë nën diktaturën e instaluar nga komunistët. Herë pas herë nostalgjikë dhe jo vetëm shfaqen me simbolet e diktaturës duke fyer kujtimin, vuajtjet dhe sakrificat e mijëra shqiptarëve”, shprehet ai.

Alibeaj shprehet se PD ka këmbëngulur për dekomunistizimin dhe ka depozituar në Kuvend projektligjin për hapjen e dosjeve me lustracion.

“Ndaj PD ka këmbëngulur gjithmonë se dekomunistizimi është një proces që duhet marrë seriozisht dhe trajtuar me respektin që meriton një komb që ka vuajtur kaq shumë dhe gjatë diktaturën komuniste. Për këtë arsye ne depozituam në Kuvend projektligjin tonë që parashikon dhe çështjen e simboleve të diktaturës dhe do depozitojmë atë për lustracionin. Lustracioni dhe dekomunistizimi janë procese që ecin bashkë dhe të ndara nga njëra-tjetra ato nuk mund të funksionojnë. Shoqëria shqiptarë ka nevojë për transparencë dhe seriozitet në trajtimin e një çështje që s’mund të jetë kurrsesi armë në duart e atyre që e përdorin për arsyet meskine të politikës së ditës”, shprehet ai.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama: Rinisin Javët Kulturore Ndërkombëtare, kulmojnë me koncertin e Rita Orës
Artikulli tjetërVan der Straeten: BE-ja do përballet me dimër të tmerrshëm nëse nuk zgjidh problemin e gazit