TIRANË, 28 gusht/ATSH – I. Vata/ Nënkryetari i PD-së Luçiano Boçi deklaroi sot se rritja e çmimit të naftës nga Bordi i Transparencës ka si qëllim zhvatjen e emigrantëve dhe qytetarëve.
Sipas Boçit, arsyeja e rritjes së çmimit të naftës janë emigrantët.
“Ka një arsye themelore që çmimi i naftës në Shqipëri rritet e nuk u ul asnjëherë, përkundrejt rënies së tij në bursa. Arsyeja është sa e thjeshtë aq dhe kanibaleske. Kjo është periudha kur sasia e mjeteve në qarkullim dyfishohet dhe kërkesa për karburant gjithashtu, sepse emigrantët e shumtë kthehen në vendlindje dhe me pushime. Grabitqari këtë rast pret për të sulmuar prenë e vet. Rama këtë ka pritur për të rrjepur emigrantët e qytetarët!E shndërron sentimentin njerëzor të mallit për vendin, në mall për fitimin e vet marramendës.Me keq se e turpshme”, tha ai
Në vijim, Boçi shtoi se ata që zhvaten, grabiten më shumë me borde e pa borde, janë qytetarët e thjeshtë.
“Kështu biznesi i tij qeverisës, arkëton miliona euro nga xhepat e njerëzve që i kanë me djersë e gjak, por që dihet si përfundojnë. Përfundojnë në llogaritë e qeveritarëve dhe “bosave” të PPP-ve. Ndërkohë oligarkët e karburanteve marrin pjesën e tyre me një fitim marramendës. Ndërsa ata që zhvaten, grabiten më shumë me borde e pa borde, janë ata që nuk firmosin në asnjë bordero, emigrantët patriotë dhe çdo qytetar i thjeshtë i këtij vendi”, tha ai. /j.p/




















