Ballina Aktualitet

Berisha: Aksioni opozitar do të vazhdojë me të gjitha format e protestave

TIRANË, 25 gusht/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot, në një prononcim për mediet, se “aksioni opozitar do të vazhdojë me të gjitha format e protestave, përfshirë dhe mosbindjen civile”.

Berisha foli lidhur me hetimin e SPAK ndaj Ilir Metës.

“Gjithçka është në kuadrin e shndërrimit të SPAK-ut, SHISH-it, Komisionit të Dosjeve, në anekse të zyrës së Edi Ramës. Gjithçka zhvillohet në kuadrin e shtetit monist”, tha Berisha.

Ai theksoi se “PD ligjin e lustracionit e ka votuar 2 herë”.

“E ka votuar në vitin 1996, e ka kundërshtuar PS dhe e ka amenduar në pushtet. E ka votuar në 2008 dhe Edi Rama e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese atë ligj. PD ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë për ligj lustracioni. Nuk ka asnjë hezitim për këtë. Por nuk duhet ngutur, Edi Rama është në një panik të tmerrshëm dhe mendon se duke përdorur procedura ligjore kundër kundërshtarëve do të shpëtojë, por nuk shpëton. E ka nisur mbi një falsifikim, sepse personi për të cilin akuzohet ka mohuar se nuk ka pasur asnjë lidhje me Ilir Metën dhe kjo është nisur për këtë arsye”, tha ai.

Në vijim, në një bashkëbisedim me intelektualë të Pogradecit, Berisha u shpreh se “shifrat e largimeve nga vendi janë alarmante. Nga viti 2014, një largim i tillë nuk i ndodh asnjë kombi tjetër në Europë. Shpeshherë ia kalojmë dhe Sirisë që është në luftë”.

/m.m/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama: Triumfi historik i Luiza Gegës si pasqyrë e mexhelisit tonë social-politik
Artikulli tjetër24 efektivë italianë, të angazhuar për sigurinë gjatë sezonit turistik