TIRANË, 28 korrik/ATSH/ “Soni Malaj do të jetë në shesh”. Lajmi është dhënë nga kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ka bërë të ditur se mbrëmjen e sotme në sheshin “Skënderbej” do të performojë edhe një tjetër artiste e suksesshme shqiptare.
“Bashkë në 28 korrik, me superkoncertin në sheshin “Skënderbej”, për dy ngjarje speciale: 100-vjetorin e lidhjes sonë me SHBA dhe lidhjen me Bashkimin Europian 100 vjet më pas”, shkruan kryebashkiaku Veliaj, në rrjetet sociale.
Deri tani, kryeministri Rama dhe kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kanë njoftuar për pjesëmarrjen në koncert edhe të Anxhela Peristerit, Fifit, Ronela Hajatit, Eneda Tarifës, Ylli Limanit, Alban Skënderajt, Xhensila Myrtezajt, Çiljeta Xhilagës, Flori Mumajesit, dhe të tjerë emra artistësh që garantojnë një koncert të suksesshëm.
Shqipëria dhe Bashkimi Evropian mbajtën në 19 korrik Konferencën e Parë Ndërqeveritare mes tyre në Bruksel, që shënoi edhe hapjen zyrtare të bisedimeve për anëtarësim të vendit tonë në BE.
Për të kremtuar këtë ngjarje të shënuar, si dhe me rastin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë e SHBA, sot do të zhvillohet një megakoncert në sheshin “Skënderbej”.
/j.p/r.e/






















