Ballina Flash

Nis edicioni i 6-të i ZA Fest, në Shkodër

TIRANË, 28 korrik/ATSH/ ZA Fest, një krijim artistik i kantautorit Vlashent Sata, vjen sot në edicionin e tij të gjashtë, që do të mbahet në qytetin artdashës të Shkodrës.

ZA Fest, i cili ka marrë mbështetjen e një sërë ambasadash të huaja në Tiranë, të Bashkisë Shkodër e cila është në rolin e mikpritëses, si dhe të Ministrisë së Kulturës, Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, do të sjellë artistë shqiptarë e të huaj, të cilët do të performojnë përgjatë 3 netëve.

Sonte festivali do të zhvillohet në oborrin e Dr. Shirokës, në një shtëpi karakteristike shkodrane, ku do të performojnë Jeton Neziraj, Erenik Beqiri, Arben Bajraktaraj e Linda Rukaj.

Vetë drejtori artistik i ketij eventi, Vlashent Sata, do të performojë natën e dytë, gjatë së cilës publiku do të ketë mundësinë të ndjekë një tjetër emër të mirënjohur që përfaqëson muzikën shqiptare edhe përtej kufijve, Elina Duni. Ndërsa natën e tretë përveç artistëve nga Italia e Spanja, do të jetë dhe i mirënjohuri Jericho nga Kosova.

ZA Fest me misionin e tij kryesor, promovimin e traditës, vlerave dhe kulturës së Shkodrës, më herët është zhvilluar edhe në Theth, duke tërhequr një numër të madh vizitorësh. Kësaj here vëmendja mbetet brenda qytetit, e sidomos te kalaja e Rozafatit.

Festivali mund të ndiqet falas nga fëmijët deri në 12 vjeç, si dhe nga të rriturit mbi 65.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSHBA – Slotkin: Rreth 75 000 rusë të vrarë ose të plagosur në luftën në Ukrainë
Artikulli tjetërGjana për ATSH-në: Mbi 18 mijë turistë vendas e të huaj vizituan parkun natyror Korab-Koritnik