Ballina Aktualitet

Berisha “non grata” edhe në Mbretërinë e Bashkuar

TIRANË, 22 korrik /ATSH/ Kryetari i PD, Sali Berisha u shpreh sot në konferencën e përjavshme për mediet se, Mbretëria e Bashkuar ka marrë vendimin për moslejimin e hyrjes së tij.

“Disa orë pasi Edi Rama dha lajmin për vendimin që do të merrte qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, jam njoftuar me një letër se, Home Secretary ka marrë vendimin për moslejimin e hyrjes sime në MB me arsyetimin, se ju keni lidhje të qarta me grupe të krimit të organizuar dhe kriminelë, të cilët kanë paraqitur një rrezik për sigurinë publike në Shqipëri dhe në MB dhe, se ju jeni i gatshëm t’i përdorni këto lidhje për të avancuar ambiciet tuaja politike, dhe për korrupsion dhe pasurimin tim, dhe rretheve të njerëzve pranë meje, ku si shembull përmendet ish këshilltari për zgjedhjet Damir Fazlliç, të cilin sipas vlerësimit të tyre, unë e kam mbrojtur kur, kundër tij kanë dalë prova inkriminuese”, tha Berisha.

Ndonëse, shtoi Berisha, “ashtu si thotë ky vendim, është konfidencial dhe, ndonëse përfaqësuesit e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë kanë deklaruar se nuk do të publikojnë emrat, unë kam marrë vendimin ta bëj publik për qytetarët shqiptarë, para të cilëve unë kam qenë gjithnjë i vërtetë, me të mirat dhe gabimet, kam luftuar gjithnjë në mbrojtje të interesit të tyre, ashtu siç e kam vlerësuar unë”.

Në lidhje me këtë vendim Berisha sqaroi se, “është në vazhdën e shpifjeve për interesa të të njëjtit grup, që ka sponsorizuar edhe vendimin e Sekretarit Blinken, të bazuar në shpifje dhe lobimin korruptiv të Edi Ramës dhe multimiliardierit George Soros. Unë kam qenë në dijeni të përpjekjeve të diplomatëve të Departamentit të Shtetit, që partnerët ndërkombëtarë t’i bashkangjiten vendimit të tyre, absolutisht pa asnjë bazë, me qëllim rritjen e presionit ndaj meje dhe justifikimin e vendimit të tyre bazuar në shpifje”.

“Por, një gënjeshtër, sado të përsëritet mund të bëhet e besueshme, por kurrë e vërtetë dhe asnjë fuqi në botë nuk do të jetë në gjendje të më detyrojë që të pranoj gënjeshtrën për të vërtetë, apo t’i nënshtrohem mashtrimit, për të cilin me prova, këto muaj, kam argumentuar se nuk synon skajimin e Sali Berishës, por kthimin e Shqipërisë në një vend pa opozitë, së cilës i rripet çdo pasuri, e nga e cila shqiptarët ikin nga sytë këmbët. Kjo synon mbajtjen në pushtet të një qeverie, me e korruptuara në Europë, e cila, duke dhunuar votën e qytetarëve, ka rivendosur në vend monizmin e plotë dhe vjedh e sakrifikon Shqipërinë e shqiptarët, e çon shtetin në falimentim për të blerë e mbajtur pushtetin”, theksoi Berisha.

“Sikundër ritheksoj edhe një herë, se në momentin e parë që qeveria e MB, ose çdo qeveri tjetër e huaj apo kushdo do të provojë – jo të gënjejë – një provë dhe fakt korrupsioni, unë do të marr çdo vendim ndaj vetes sime”, tha Berisha.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBerisha “non grata”, Ambasada britanike: Lidhje të dokumentuara dhe të publikuara me kriminalitetin dhe korrupsionin
Artikulli tjetërRama: Mosvotimi nga “non grata” kundër raportit të Marty-t, neveri për politikën pa din e iman