TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Pesë bashki të vendit janë përfshirë në gjashtë projekte të rëndësishme social-ekonomike, kryesisht për fëmijët, gratë dhe vajzat, financuar nga qeveria shqiptare dhe BE-ja.
Fokus i qeverisë është të kontribuojë në përmirësimin e aksesit në shërbime dhe cilësisë së jetës për fëmijët, të rinjtë, vajzat dhe gratë, komunitetet e papërfaqësuara dhe tek të gjithë qytetarët në të gjithë vendin.
Institucionet e linjës në bashkëpunim me programi rajonal për demokracinë vendore në Ballkanin Perëndimor 2 (ReLOaD2) financohet nga Bashkimi Evropian, po punojnë në pesë bashki të vendit për zhvillimin e 6 projekteve me fokus fuqizimin e sistemit të mbrojtjes sociale.
Më shumë se 1000 qytetarë do të përfitojnë nga gjashtë projekte të financuara me thirrjen e parë publike, për fuqizimin e sistemit të mbrojtjes sociale në bashkitë: Kamëz, Patos,
Kavajë, Sarandë e Lushnjë.
Projektet konsistojnë në mbështetjen e aktiviteteve dhe sipërmarrjeve të ndryshme që synojnë zhvillimin në shërbim të komunitetit.
ReLOaD2 do të punojë me qeveritë vendore (bashkitë) dhe do t’i nxisë ato të përdorin fondet publike për OSHC-të në mënyrë transparente dhe të orientuar drejt zhvillimit, duke marrë parasysh nevojat vendore dhe duke përqafuar një qasje të bazuar në projekt.
Gjithashtu, projekti do të promovojë angazhimin e të rinjve dhe do të mbështesë zbatimin e iniciativave rinore dhe do të punojë për përmirësimin e perspektivave të tyre ekonomike në lokalitetet partnere.
/r.e/












