TIRANË, 10 korrik/ATSH – I. Vata/ Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka deklaruar sot se votimi i emigrantëve është plotësisht i realizueshëm, por pengesa e vetme është bllokimi për interesa politike.
Në një intervistë televizive Celibashi, shprehet se KQZ do të bëjë të mundur platformën për regjistrimin e emigrantëve me adresat e sakta në shtetet që jetojnë, ndërsa për mënyrën se si do të votojnë në 2025 me postë apo online, kjo do të mbetet në interesat e partive politike.
Ai tha se, deri në fund të korrikut KQZ do të ketë gati platformën për regjistrimin e shqiptarëve të diasporës që duan të ushtrojnë të drejtën e votës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
“Jemi duke finalizuar aktin që ka të bëjë me proceduarat e regjistrimit dhe të identifikimit të atyre që banojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, kanë adresë të përhershme atje por duan të regjistrohen për të votuar atje ku janë”, shprehet Celibashi.
Përsa i përket çështjes se si do të votojnë emigrantët, Celibashi, mendon se dy mënyra janë më të sigurta.
“Qoftë votimi me postë, qoftë votimi përmes internetit, ose përmes internetit i dërgimit dhe i marrjes së fletës së votimit por në këtë rast fleta e votimit plotësohet fizikisht. I ofron të gjitha garancitë nga pikëpamja teknike”, tha ai.
Celibashi thekson se edhe nëse në 2025 emigrantë do të lejohen të votojnë aty ku jetojnë ata nuk mund të kenë përfaqësuesit e tyre në Parlament.
“Nuk ka një zonë të 13-të. Votuesit që jetojnë jashtë republikës së Shqipërisë nuk kanë vende të rezervuara në Kuvendin e Shqipërisë. Vota e atyre që banojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë do të shpërndahet në votat e qarqeve ku ata kanë regjistrin e gjendjes civile”, tha Celibashi.
“Asnjë prej faktorëve institucional dhe politik nuk mund të kenë një justifikim në rast se ne në zgjedhjet e ardhshme parlamentare nuk e realizojmë këtë”, u shpreh Celibashi.





















