TIRANË, 8 korrik /ATSH/ Kryetari i bashkisë së Kukësit, Safet Gjici nënshkroi sot marrëveshjen e binjakëzimit me kryetarin e bashkisë Lübeck (Gjermani), Jan Lindenau.
Kjo marrëveshje ka të bëjë me fushat e menaxhimit dhe trajtimit të mbetjeve të ngurta dhe të ujit të shërbimit komunal ndaj qytetarit si dhe të mbrojtjes së mjedisit, njoftoi sot bashkia e Kukësit.
Të dyja bashkitë dhe në veçanti institucionet e tyre specifike, do të përpiqen për bashkëpunim zhvillimor dhe shkëmbim reciprok të përvojës, veçanërisht në fushën e shërbimeve me interes të përgjithshëm, mbrojtjen e mjedisit, dhe çështje administrative përkatëse. Fokusi kryesor është në depozitimin e mbetjeve dhe ujërave të zeza.
Objektivat e nënshkrimit të marrëveshjes janë: bashkëpunimi në fushën e zhvillimit të mëtejshëm të infrastrukturës publike dhe çështjeve administrative të ndërlidhura, veçanërisht në fushën e depozitimit të mbetjeve dhe largimit të ujërave të zeza; shkëmbimi profesional i delegacioneve të specializuara nga të dyja bashkitë, duke përfshirë vizita të ndërsjella nga specialistë; mundësimi i ndërsjellë i qëndrimeve praktike të shkëmbimit të temave në fushën e edukimit dhe trajnimit.
Gjici u shpreh se, “është kënaqësi dhe privilegj për mua dhe stafin tim që të jem sot në bashkinë e Lübeckut. Mikpritja nga personalitete si ju, tregon vëmendjen e shtuar dhe përkujdesjen e veçantë që ju tregoni ndaj miqve tuaj”.
Gjithashtu ai tha se, “Bashkia Kukës si rezultat i vëmendjes që ka treguar ndaj mjedisit, ka marrë nga një organizatë shumë prestigjioze ndërkombëtare çmimin “Bashkia Model për Brezin e Gjelbër Evropian 2021”.
“Firmosja e marrëveshjes së bashkëpunimit me ju është në koherencë me sloganin që Kombet e Bashkuara kanë vendosur këtë vit: “Ujërat nëntokësore – Duke bërë të padukshmen, të dukshme””, tha Gjici.
/j.p/r.e/





















