TIRANË, 7 korrik/ATSH/ Muzeu Historik Kombëtar përkujtoi sot në ditën e ndarjes nga jeta, Aleks Budën (1910-1993), Mësues i Popullit.
Historian i shquar, profesor, kryetar i parë i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Aleks Buda lindi në Elbasan, në një familje të njohur intelektuale. Shkollën fillore e kreu në Leçe të Italisë, të mesmen në Zalcburg të Austrisë dhe studimet e larta në Fakultetin e Filozofisë (dega filozofi-letërsi) ne Universitetin e Vjenës (1929-1935). Më pas (1939-1943) punoi si mësues në Liceun e Tiranës e në atë të Korçës.
Mori pjesë në LANÇ; më 1944 u zgjodh nënkryetar i Këshillit ANÇ të qarkut të Elbasanit. Në vitet 1945-1946 qe drejtor i Bibliotekës Kombëtare. Me formimin më 1955 të Institutit të Historisë e të Gjuhësisë, Aleks Buda si një ndër organizatorët e tij dhe punonjësit shkencorë më me përvojë, themeloi sektorin e Historisë së Mesjetës dhe me këtë hodhi bazat e medievistikës shqiptare.
Punoi veçanërisht për përgatitjen e historianëve të rinj e sidomos të studiuesve të historisë mesjetare të Shqipërisë. Si kryetar i ASHSH që në themelimin e saj (1972) dhe si studiues me formim e kulturë të gjithanëshme, historike gjuhësore, arkeologjike, etnografike, të artit mesjetar etj., Aleks Buda dha një kontribut të çmuar në organizimin e punës kërkimore-shkencore sidomos në fushën e albanologjisë.
Ka marrë “Çmimin e Republikës” të shkallës së parë, është dekoruar me “Urdhërin e Lirisë” të klasit I dhe me “Urdhërin e Flamurit të Punës” të kl. I. Presidenti i Republikës së Austrisë e ka dekoruar më “Medaljen e Madhe të Artë” (1990).
/j.p/r.e/












