Ballina Flash

Monodrama “Të gjithë janë të çmendur” mirëpritet nga artdashësit beratas

TIRANË, 18 qershor/ATSH/ Monodrama “Të gjithë janë të çmendur”, një vepër e shkruar nga Naun Shundi u shfaq mbrëmjen e djeshme në qendrën kulturore “Margarita Tutulani” në Berat.

Ardashësit beratas mirëpritën lojën e aktorëve Ervin Bejleri dhe Monda Shundi, të cilët dhuruan emocione me interpretimin e tyre.

Me regji të Ardian Cergës dhe Naun Shundit, kjo monodramë përcjell mesazhe të shumta për shoqërinë si polemikat, ironia dhe lufta e madhe kundër imoralitetit.

Personazhi i kësaj monodrame rrëfen me sinqeritetin e tij deri në naivitet të gjithë kronologjinë e jetës. Pikërisht ky realitet që jetojmë është i papërtypshëm për të, pasi situatat komike në dukje e pështjellojnë emocionalisht e logjikisht vazhdimësinë e përditshmërisë së tij duke e paraqitur si të çmendur përballë hipokrizisë e lëmshit të zakonshëm metropolitan.

Monodrama “Të gjithë janë të çmendur” do të shfaqet edhe ditën e sotme në skenën e qendrës kulturore “Margarita Tutulani” në Berat.

/k.s/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOKUS – Ukraina planifikon rifillimin e bisedimeve të paqes me Rusinë
Artikulli tjetërFOKUS – Polonia bën thirrje për sanksione të reja ndaj Rusisë përpara samitit të BE-së