TIRANË, 17 qershor /ATSH/ Në ambientet e Kryesisë së Kuvendit u zhvillua sot mbledhja e Aleancës së Grave Deputete, e cila është një organizim vullnetar i grave ligjvënëse të të gjitha grupimeve politike të përfaqësuara në Kuvendin e Shqipërisë.
Aktualisht Legjislatura X e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë ka 50 gra deputete.
Qëllimi i këtij takimi ishte konstituimi i Aleancës dhe zgjedhja e kryesisë të saj.
Në këtë takim, të ftuar ishin edhe kryetarët e dy grupeve më të mëdha parlamentare, Taulant Balla, i grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe Enkelejd Alibeaj, i grupit parlamentar të Partisë Demokratike.
Po ashtu, i ftuar ishte edhe ambasadori i Prezencës së OSBE në Shqipëri, Vincenzo Del Monaco.
Gjatë diskutimeve, u propozua dhe u zgjodh kryesia e Aleancës: Merita Bakiu kryetare, Etilda Gjonaj nënkryetare dhe Erisa Xhixho sekretare.
/j.p/r.e/























