Ballina Flash

“Shqipëria mikpret Spanjën”

TIRANË, 15 qershor/ATSH/ Së shpejti nis “Java e Spanjës” në kuadër të ciklit vjetor të Javëve Ndërkombëtare të Kulturës, nismë e qeverisë shqiptare me moton “Shqipëria mikpret botën”, ku marrin pjesë 17 vende të ndryshme të botës, si dhe vende të Bashkimit Evropian.

Pas disa organizimesh të ndryshme të Javës së Italisë dhe Izraelit, Shqipëria do të mikpresë Spanjën.

Aktivitetet e ndryshme kulturore do të zhvillohen nga datat 18-28 qershor 2022.

Gjatë këtyre ditëve qytetarët e Tiranës do të kenë mundësi të njihen më nga afër me artin, sportin e arkitekturën spanjolle.

Në programin e prezantuar nga Ministria e Kulturës, në Tiranë do të jenë të pranishëm piktorë, sportistë, arkitektë, valltarë flamenkoje, kineastë, shefa kuzhine e të tjerë.

Çdo ditë do të ketë më shumë se një shfaqje në mjedise të ndryshme të qytetit dhe hyrjet në evente do të jenë të hapura për publikun.

Të parët që hapën këtë udhëtim më 25 prill ishin francezët, për të vijuar me Bashkimin Europian; më pas Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Greqia, Italia, Izraeli, Spanja, Britania e Madhe, Suedia, Egjipti, Kina, Gjermania, Japonia, Austria, Turqia, Hungaria, Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa do të përmbyllet me një festë, me rastin e Festave të Nëntorit me Kosovën.

Për 17 javë, Javët Kulturore Ndërkombëtare do të sjellin në vendin tonë një larmishmëri kulturash, duke filluar me javën e Francës e për ta përfunduar me Kosovën.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakLlagami: Gjyqtarët interes të ulët për aplikim në GJKKO
Artikulli tjetërFOKUS – Stoltenberg: Ukraina duhet të ketë më shumë armë të rënda