Ballina Flash

Kisha e Shën Gjonit e shekullit XII

TIRANË, 14 qershor/ATSH/ Në afërsi të fshatit Hysaj (Grue­mirë) në Malësinë e Madhe gjendet Kisha e Shën Gjonit, monument kulture i kategorisë së parë. Referuar të dhënave arkivore por dhe përmasave të objektit, kemi të bëjmë me një manastir që i përkiste Urdhrit Benediktin.

Një dokument i parë i vitit 1166 përmend abatin e kishës Sancti Johannis (Shën Gjonit në Rash të Poshtëm). Abacia gëzonte në Mesjetë mbrojtjen e dinastëve të Drishtit dhe më vonë të Republikës së Venedikut.

Në një tjetër burim të kohës, që mban vitin 1356, shkruhet se Ipeshkvi i Balesiumit (Balleza, Rrjoll) merr si dhuratë Manastirin Benediktin të Shën Gjonit në Rrash, pasi pas vdekjes së abatit të fundit Andreas, ai kishte mbetur vakant. Po ashtu në mesin e shek. XIV cilësohet si një manastir i dëmtuar nga skizmatikët dhe tokat përreth tij bashkë me kishën e braktisur i kalojnë Ipeshkvit të Balesiumit (Ballez).

Ndërsa një dekret i senatit venedikas i vitit 1403 tregon se liron nga të dhjetat tokat e Abacisë së Shën Gjonit.

Në vitin 1628 manastiri u braktis përfundimisht. Valiu i Shkodrës, Abdi Pasha, në vitin 1856 e shpalli tokë shtetërore dhe ndaloi dy besimet e tjera të kryenin shërbesa aty, ndërsa sot kisha vjen si kujtesë historike.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKarçanaj: Në 5 vjet u lëshuan 20 milionë dokumente me vulë elektronike
Artikulli tjetërLe Bras: Shqipëria rezultate konkrete në shërbimet online, hapja e negociatave do ofrojë nisma më të fuqishme