Ballina Flash

Sa ndotin në të vërtetë makinat elektrike?

ROME, 12 qershor /ATSH/ – A është makina elektrike me të vërtetë zero emetime?, shkruan faqja focus.it.

Instituti Suedez i Kërkimeve Mjedisore në Stokholm e vlerëson seriozisht çështjen, i cili në një punim të botuar javën e kaluar analizon ciklin e jetës (vlerësimi i ciklit të jetës) të baterive të mëdha litium-jon të përdorura për automjetet elektrike.

Sipas Lisbeth Dahllöf dhe Mia Romare, autore të studimit, prodhimi i këtyre akumulatorëve gjeneron emetimin e sasive të mëdha të CO2 në atmosferë (drejtpërdrejt dhe ekuivalent): nga 150 në 200 kg për çdo kWh fuqi.

Nissan Leaf dhe Tesla Model S, dy nga makinat elektronike më të shitura, kanë akumulatorë përkatësisht 30 dhe 100 kWh: sipas llogaritjeve të dy studiuesve, prodhimi i tyre do të gjeneronte 5.3 ton CO2 për baterinë Nissan dhe 17 , 5 për atë të Teslës.

Një makinë moderne e pajisur me një motor benzine 1200cc do të duhet të përshkojë përkatësisht 42 000 dhe 154 000 km për të prodhuar të njëjtat sasi të CO2.

Prandaj, shifrat duket se sugjerojnë se makinat elektrike, veçanërisht ato shumë të fuqishme si Tesla, janë në të vërtetë po aq ndotëse sa ato me benzinë.

Në realitet nuk është kështu: sipas studimit, rreth gjysma e emetimeve të CO2 që lidhen me prodhimin e baterive krijohen nga përpunimi i lëndëve të para të përdorura për ndërtimin e akumulatorëve, ndërsa 20% i atribuohet aktiviteteve minerare. Prandaj, këto janë emetime indirekte, që duhet t’i atribuohen “kolonës” së ekuivalentit të CO2.

Studiuesit supozuan se gjysma e energjisë së përdorur në procesin e prodhimit vjen nga lëndët djegëse fosile.

Kjo do të thotë gjithashtu që lëvizja e zinxhirit industrial drejt përdorimit të burimeve të rinovueshme dhe emetimeve të ulëta të CO2 do të shkaktonte një rreth të virtytshëm nga i cili mund të përfitojnë të gjithë sektorët. /os/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMeta: Sot në Ditën e Çlirimit, çdo shqiptar i gëzohet arritjeve të Republikës së Kosovës
Artikulli tjetërRama: “Pema e Jetës”, nga sipërmarrje familjare në agroturizëm ku prodhohen produkte bio