PARIS, 10 qershor /ATSH-DPA/ – Ministri i Brendshëm francez Gérald Darmanin shkroi në Twitter se takimi i homologëve të tij të Bashkimit Evropian në Luksemburg bëri “përparim të madh” drejt një kompromisi për reformën e migracionit në BE.
Darmanin, i cili drejton bisedimet në Luksemburg, tha se “një shumicë e madhe e vendeve të BE-së tani po mbështesin një mekanizëm solidariteti vullnetar për të mbështetur vendet e BE-së rreth Mesdheut”.
Ai tha gjithashtu se një rregullore që synon forcimin e mbrojtjes së kufijve të jashtëm të bllokut tani mbështetet nga shumica e ministrave, por nuk u dhanë detaje të mëtejshme.
Ministri francez njoftoi gjithashtu një takim “në ditët e ardhshme” për të avancuar punën për të bërë funksionale një platformë për shkëmbimin e informacionit midis vendeve anëtare të BE-së për njerëzit që ikin nga Ukraina. /os/





















