TIRANË, 8 qershor/ATSH/ Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, në fjalën e tij në Samitin e “Ballkanit të Hapur”, theksoi se “çdo nismë që premton dhe të çon drejt progresit, do të ketë mbështetjen e qeverisë së Malit të Zi”.
Në fjalën e tij në samitin e “Open Balkan”, që mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut, Abazoviç tha se “ne duhet të kemi dialog dhe kjo do të na shpjerë në besimin e ndërsjellë dhe së bashku të ndërveprojmë me aktivitete që shtyjnë drejt progresit në rajon”.
“Politikat e mosrespektimit, të theksimit të konflikteve të vazhdueshme na kanë mbajtur deri këtu. Detyra jonë është që ta ndryshojmë këtë. Unë kam kënaqësi që me ne është edhe komisioneri Varhelyi, kam kënaqësi që edhe SHBA e mbështet këtë nismë dhe ne duhet patjetër të ndryshojmë veten tonë, askush nuk do të mbarojë pjesën tonë të punës”, nënvizoi Abazoviç.
Kryeministri Abazoviç uroi që “herën tjetër të jemi gjashtë persona dhe të flasim për nevojat e qytetarëve dhe jam i bindur që mesazhi drejt BE do jetë shumë më ndryshe. Ata që janë skeptikë dhe që kontestojnë këtë nismë, të kuptojnë që janë gabim dhe se kjo pjesë e botës pavarësisht vështirësisë që ka kaluar i përket familjes së madhe evropiane”.
Më tej Abazoviç tha se “që të jemi anëtarë të kësaj familje duhet të ndryshojmë sjelljen dhe mentalitetin tonë, të promovojmë diçka të re të bëjmë ribrandim të Ballkanit Perëndimor, si dhe të dërgojmë mesazhe optimiste, ne jemi mjaft optimistë për gjithçka ndodh këtu, t’i zgjasim dorën njëri-tjetrit, kjo është mënyra e vetme për ta arritur këtë”.
Abazoviç u shpreh se “na duhet dialog i hapur, të krijojmë politika të reja. Në Ballkanin Perëndimor meritojmë një histori që do të tregojë të gjitha të mirat tona. Ne duhet të ndryshojmë mentalitetin tonë”.
Ai tha se pret që kryeministri i Kosovës të vijë dhe të flitet për nisma të përbashkëta.
Abazoviç tha gjithashtu se “jemi të interesuar edhe për sezonet e zjarreve, të ndihmojmë njëri-tjetrin”.
/k.s/r.e/






















