Ballina Aktualitet

Rama: Dosjet e sigurimit të shtetit i hapëm ne

TIRANË, 23 maj/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se përulej në respekt të ish-të përndjekurve politikë, ndërsa tha se ndahej me opozitën, pasi ajo nuk jeton me idealet, parimet, qëllimet, me aspiratat dhe shembullin e tyre.

Në replikë me deputetin demokrat Bujar Leskaj, i cili i kërkoi mazhorancës të bashkohej në përkujtimin e Revoltës së Qafë Barit dhe Revoltës së Spaçit, kryeministri solli në vëmendje se edhe dosjet e sigurimit i hapi mazhoranca socialiste.

“Bashkohem në respekt të emrave, por ndahem, për një fakt domethënës, pasi gjithë përmendja e atyre që janë të vdekur dhe të paharruar humbet çdo kuptim, kur ata që i përmendin nuk jetojmë me idealet, parimet, qëllimet, nuk jetojnë me aspiratat dhe shembullin e tyre.

Rama tha se opozita përfaqëson partinë që shkatërroi të drejtën e pronës.

“Ju flisni sot këtu për ata, por ndërkohë ata donin një Shqipëri ku e drejta e pronës ishte e garantuar. Ju përfaqësoni këtu partinë që shkatërroi të drejtën e pronës. Ju nuk patët kurajon të hapnit dosjen e sigurimit të shtetit. Dosjet e sigurimit të shtetit i hapëm ne. Nëse sot të gjithë kanë akses, kjo është falë nesh. Ju i mbajtët të mbyllura”, u shpreh kryeministri.

Kryeministri akuzoi opozitën edhe se nuk shpërndau dëmshpërblimet për ish-të përndjekurit e gjallë .

“Ata luftuan për një Shqipëri të drejtë dhe ku drejtësia të ishte në sensin e qeverisjes, përtej thjeshtë dhe vetëm rendit ligjor. Ju në fakt duhet të gjeni emrat e të bëni edhe një listë tjetër me ata që vdiqën në demokraci e nuk morën asnjë lek dëmshpërblim. Ndërsa ju dhatë dëmshpërblim fisit e farefisit, u desh të vinim ne e të rikthenim drejtimin te të burgosurit e gjallë”, theksoi kreu i qeverisë.

Ata, vijoi Rama, donin një Shqipëri të orientuar nga perëndimi, jo nga lindja, nga anglo-amerikanët e jo nga sovjetikët. “Ju përfaqësoni planin antiamerikan në krahun tuaj dhe jeni krenar në krah të atij që e ngritët si flamur dhe në vend të logos së PD-së, ka damkën e DASH si minus i demokracisë në Shqipëri dhe si i korruptuar domethënës”, u shpreh Rama.

Rama vuri në dukje se përulej me respektin e atij që nuk ka thjeshtë detyrën të përmendë emra, por që ka detyrë të bëjë gjëra për të cilat ata përfunduan në rrethin e 9-të të ferrit komunist që nga pronat, dëmshpërblimet, dosjet, etj.

“U desh të vinim ne të mendonin, kur ishit ju nuk donit ti kujtonit, ato që mund të ishin bërë vende të kujtesës i bëtë prona për veten tuaj”, iu drejtua Rama-opozitës.

Kryeministri Edi Rama replikoi sërish pak minuta më vonë, duke theksuar se një nga gjërat që komunizmi bëri për fat të keq është që i bëri si veten edhe antikomunistët dhe të shash tjetrin dhe të merresh me tjetrin, kur tjetri merret me argumentin, është mungesë argumenti dhe të thuash që “ne na vratë ju”, është njësoj siç thonin komunistët për ata që vranë. Ndryshimi, sipas tij, është që sot nuk është mundësia për të marrë hak duke vrarë, se po të ishte, në mos zoti Alizoti që duket njeri zemërbutë, do gjente një tjetër që do bënte të njëjtën gjë.

Ndërsa faktet nuk lëvizin, vijoi Rama, janë aty dhe unë do ta dëgjoja me vëmendje e ndoshta dhe me më shumë respekt dikë që minimalisht do ta kishte jetën e vetë politike në koherencë me atë të kaluar të cilën e sjell për ta pasuruar personazhin e vetë politik, por kjo koherencë nuk ekziston.

“Del këtu dhe bën sikur mban pishtarin e kujtesës? Pishtari i kujtesës mbahet me vepra, nuk mbahet me llafe. Pishtari i kujtesës mbahet duke i bërë hyzmetin aspiratave, qëllimeve dhe amanetit të atyre që të bëjnë ty të ndihesh këtij apo andej i tillë apo i atillë. Dhe për më tepër, ti që mban krahun e pishtarit anti amerikan sot. Si mund të dalësh ti sot të flasësh për Xhelal Koprencën e për Fadil Kokomanin dhe ti ngre flamurin e rreckosur me damkën mu në mes, në vend të logos së partisë Demokratike, ai flamur që ngre ti ka damkën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. E kë bëni për budalla ju? Nuk ke përgjegjësi ti? Që del ndihmon për të bërë për budalla një sado qoftë numri i atyre demokratëve që vijnë pas teje e mbas tjetrit? Ku i çoni ju ata? Kujton se kam hallin tim? Kujton se kam hallin tonë? Po të jetë puna për mua e për ne nga pikëpamja cinike e praktike, në fakt ti duhesh dekoruar, bashkë me të gjithë ata që e mbajnë atë flamur. Por meqë del këtu e bën atdhetarin, vetëm atdhetari nuk është ajo. Ajo është një poshtërsi e pashoqe me pasoja të jashtëzakonshme në vite të tëra, jo për PD-në por për gjithë shoqërinë tonë e prandaj kjo teoria e moralit të madh antikomunist bie poshtë komplet, është një farsë e madhe, është një tallje e madhe, është një pështirosje e madhe sepse minimumi, ai zotëria që iku duhet të kujtohet që në këtë sallë, vetëm një ka qenë sekretar i Partisë Komuniste, nuk ka tjetër. Një, që edhe i vdekur ti prapë e do se nuk të ndahet shpirti prej tij dhe vini na tregoni këtu, jo baballarët tuaj, jo të recitoj poezi. Çfarë poezish do më recitosh ti mua kur ti mban të vdekurin në krah o lumadh dhe e merr edhe në Vlorë e ngre në krah, po nuk të vjen zor? E kupton që për atë, ja vetëm për këtë ty do të të ndjekë këmba këmbës hija e të gjithë atyre që përmend këtu sepse e meriton, sepse je një hipokrit e të gjithë jeni hipokrit sepse nuk ju përputhet fjala me veprën, është shumë e thjeshtë. Po të bëhej dhe vepra atëherë do ngrihesha unë në këmbë do thoja të nderojmë ata që kanë vdekur, të nderojmë dhe Leskon sepse na i kujton e shyqyr që i kemi gjallë por këmba këmbës do të ndjekë hija e tyre’’, deklaroi Rama. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama, replikë me deputetë të PD-së: Jeni viktima të ideologjisë së Enver Hoxhës
Artikulli tjetërTradita muzikore hap Javën Kulturore të Greqisë nga sheshi “Skënderbej”