TIRANË, 16 maj /ATSH/ Policia e Shtetit njofton se, po vijon operacionet e kontrollit të territorit, për evidentimin dhe goditjen e tentativës për kultivim të bimëve narkotike.
Sipas njoftimit të Policisë, Komisariati i Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Velipojë ka finalizuar operacionin policor të koduar “Ças”, ku është arrestuar në flagrancë 1 shtetas E. P., 34 vjeç, banues në fshatin Ças, Velipojë, Shkodër, si dhe është shpallur në kërkim shtetasi N. Ç., 39 vjeç, banues në fshatin Torovicë, Lezhë dhe janë sekuestruar 567 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa.
Gjatë kontrollit masiv të territorit nga shërbimet e Policisë, duke përdorur edhe dronë, është evidentuar dhe goditur nje rast i kultivimit të bimëve narkotike.
Policia njofton se vijon puna për kapjen e shtetasit N. Ç.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprime
të mëtejshme. /j.p/












