BRUKSEL, 9 maj /ATSH-DPA/- Presidenti francez Emmanuel Macron ka bërë thirrje për reforma gjithëpërfshirëse në Bashkimin Evropian për të thelluar integrimin dhe për ndryshime në traktatet e BE-së.
Duke folur në Parlamentin Evropian në Strasburg, Macron mbështeti një propozim të Parlamentit Evropian për të mbajtur një konventë për të hartuar plane për të përmirësuar procesin e vendimmarrjes së BE-së, përmes rishikimit të traktateve të BE-së nëse do të ishtë e nevojshme.
“Mbetet e nevojshme të reformojmë rregulloret tona, kjo është e qartë,” tha Macron në Parlamentin Evropian në një fjalim me rastin e të ashtuquajturës “Konferenca për të Ardhmen e Evropës”.
Macron bëri thirrje gjithashtu për një rishikim të strukturës së anëtarësimit në BE dhe për të zgjeruar mundësitë për bashkëpunim politik dhe ekonomik në sektorin e energjisë ose sigurisë me vendet e tjera joanëtare evropiane si Ukraina, duke i afruar ato me BE-në.
Thirrja e Macron u prit me kritika të menjëhershme nga vendet e tjera anëtare të BE-së, duke i quajtur ato si të pamenduara dhe të parakohshme në një deklaratë të publikuar në Twitter.
Trembëdhjetë vendet anëtare kryesisht lindore dhe veriore thanë se krizat e fundit kanë treguar se BE-ja mund të japë rezultate bazuar në traktatet e saj aktuale.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen u fokusua në debatin rreth reformimit të BE-së duke propozuar përfshirjen e qytetarëve në më shumë projekte të politikave të ardhshme, me panele të formuara nga publiku.
“Unë jam e bindur se demokracia nuk përfundon me zgjedhje, konferenca apo konventa. Ajo duhet të punohet, të ushqehet dhe të përmirësohet çdo ditë”, tha ajo në Parlamentit Evropian. //a.i/























