Ballina Flash

Dita e Evropës, aktivitete të shumta në kryeqytet

TIRANË, 9 maj /ATSH/ Dita e Evropës është festuar sot në Tiranë me aktivitete të shumta, nga panairet deri tek diskutimet për sensibilizmin e mbrojtjes së mjedisit.

Aktivitetet kryesore u mbajtën në pedonalen “Murat Toptani” në kalanë e Tiranës, ku u organizua një panair nga Delegacioni i BE dhe ambasadat e vendeve anëtare të BE.

Në këtë panair qytetarët patën mundësi të njihen me mbështetjen që Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare të tij i bëjnë Shqipërisë. Qytetarët vizituan stendat e panairit, plot me informacione, produkte lokale të zonës, punime artizanale dhe argëtim për më të vegjlit.

Gjithashtu në pedonale, në kuadër të Tirana European Youth Capital 2022, Ambasadorët e Rinj Evropianë së bashku me kolegë të tyre nga shoqëria civile dhe përfaqësues nga Shtetet Anëtare të BE-së, diskutuan mbi angazhimin rinor dhe perspektivën evropiane të Shqipërisë.

Një tjetër aktivitet që u mbajt në kuadër të Ditës së Evropës ishte konkursi AgroAktiv mes 8 shkollave të mesme bujqësore në vend, organizuar nga projekti për sigurinë ushqimore, ku u shpall ideja fituese me fokus inovacionin bujqësor.

Gjithashtu në pedonalen “Murat Toptani”, nën moton “Vepro për Vjosën”, u shfaq performanca e baletit bashkëkohor e grupit të koreografit shqiptar Gentian Doda, e cila u pasua nga një diskutim mbi mbrojtjen e lumenjve dhe ambientit nga plastika njëpërdorimshme.

Identifikimi dhe menaxhimi i çështjeve mjedisore në basenin e lumit Ishëm ishte tema kryesore e bisedës tjetër të hapur në Pedonale.

I organizuar nga projekti “Mbështetja e BE-së për Menaxhimin e Integruar të Ujërave”, financuar nga BE dhe ADC dhe zbatuar nga ADA, diskutimi shërbeu gjithashtu si një konsultim publik me akademikë, studentë, përfaqësues nga agjencitë kombëtare dhe publikun e gjerë.

/a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakDigjitalizimi i shërbimeve, Veliaj: Nga 60 sportele fizike, kalojmë në 20 të tilla
Artikulli tjetërAksidenti në Has, Gonxhe: Mjeti nuk duhet të qarkullonte, nuk ka targa, as kolaudim