TIRANË, 4 maj /ATSH/ Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi sot raportin e politikës monetare.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në konferencën për shtyp të së mërkurës, tha se “Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë pasi diskutoi zhvillimet ekonomike e monetare në vend dhe ecurinë e pritshme të tyre, vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit për lekun në nivelin 1.0 %”.
Sejko theksoi se “mbeten të pandryshuara normat e interesit të depozitave dhe kredive njëditore, respektivisht në 0.1 % dhe 1.9 %”.
Kreu i Bankës Qendrore vuri në dukje se, “politika monetare do të vijojë të mbetet akomoduese gjatë gjithë horizontit kohor afatmesëm, në funksion të rikuperimit të qëndrueshëm të aktivitetit ekonomik dhe të kthimit të inflacionit në objektiv”.
Përveç këtij vendimi, Këshilli Mbikëqyrës shqyrtoi dhe vendosi për miratimin e rregullores “Për strukturën dhe përdorimin e numrit ndërkombëtar të llogarisë së pagesës”
Kjo rregullore vjen si një version i rishikuar i rregullores aktuale mbi numrin IBAN, në zbatim të “Strategjisë Kombëtare të Pagesave me Vlerë të Vogël (2018-2023)”, “Strategjisë afatmesme të zhvillimit të Bankës së Shqipërisë, për periudhën 2019-2021” dhe në përmbushje të nevojave për përmirësim sipas praktikave më të mira ndërkombëtare.
Ligji “Për shërbimet e pagesave” mundëson që ofruesit e shërbimeve të pagesave, të hapin llogari pagesash, të emetojnë instrumente pagesash dhe potencialisht të jenë pjesëmarrës në sistemin e klerimit të pagesave me vlerë të vogël (AECH). Për këtë qëllim, në varësi të veprimtarisë, institucionet financiare mund të pajisin klientët e tyre me numër llogarie të pagesës. Ky numër llogarie duhet t’i nënshtrohet të njëjtit standardizim dhe rregullsi, si formati IBAN i përdorur deri më tani në kontekstin e numrit të llogarisë bankare. Nëpërmjet kësaj rregulloreje, kuptimi dhe përdorimi i tij do të shtrihen në të gjitha llogaritë e pagesave që gjenerohen nga ofruesit e shërbimeve të pagesave për klientët e tyre.
Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me veprimtarinë e përditshme funksionale dhe operacionale të Bankës së Shqipërisë.
Sejko theksoi se, “rritja ekonomike do të vijojë të mbështetet nga kushtet ende të favorshme të financimit, nga bilancet e shëndosha financiare të sektorit real dhe financiar, si dhe nga vijimi i rritjes së eksporteve”.
Sejko tha se, ndikuar nga kriza që ka shkaktuar lufta në Ukrainë, ritmi i rritjes ekonomike pritet të jetë më i ngadaltë krahasuar me parashikimet e fillimvitit. Ai theksoi se “përmirësimi i tregut të punës do të ndihmojë në amortizimin e një pjese të goditjes që vjen nga çmimet e larta”.
“Politika monetare stimuluese ka gjeneruar një ambient financiar të qetë, të karakterizuar nga likuiditet i bollshëm, kosto të ulëta kreditimi dhe kurs i qëndrueshëm këmbimi. Krahas këtyre faktorëve, shëndeti i mirë i sektorit bankar dhe kërkesa e lartë për fonde, kanë mbështetur rritjen e qëndrueshme të kredisë që nxit rritjen e konsumit dhe të ekonomisë”, deklaroi Guvernatori.
Sejko tha se, prodhimi i brendshëm bruto u rrit me 8.5% gjatë vitit 2021, duke tejkaluar nivelet e regjistruara para tërmetit dhe pandemisë.
“Rritja ekonomike u mbështet nga zgjerimi i konsumit, i investimeve dhe i eksporteve”, deklaroi Guvernatori i BSH-së.
/a.a/r.e/























