Ballina Flash

Bashkia e Korçës nis zbatimin e eficiencës energjetike

TIRANË, 22 prill /ATSH/ Bashkia e Korçës nisi zbatimin e programit për eficiencën energjetike, duke konkretizuar kështu në praktikë, marrëveshjen e bashkëpunimit mes qeverisë shqiptare dhe asaj zvicerane për menaxhimin më të mirë të energjisë në nivel kombëtar dhe vendor, nënshkruar në fund të vitit të kaluar.

Kryetari i bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo priti në një takim pune zv/ambasadoren e Suedisë në vendin tonë, Petra Burcher, drejtorin e Agjencisë Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, si dhe përfaqësues të tjerë të Ambasadës suedeze dhe institucioneve të linjës.

“Gjatë këtij takimi diskutuam rreth bashkëpunimeve të ndryshme në fushën e mjedisit, qeverisjes lokale, shërbimeve ndaj qytetarëve si edhe për mbështetje në fushën e inovacionit”, u shpreh Filo, ndërsa bëri të ditur se, u nënshkrua dhe marrëveshja e bashkëpunimit me Ambasadën zvicerane në lidhje me projektin “Për Bashkitë me Shfrytëzim Inteligjent të Energjisë”.

Projekti do të jetë i pari që adreson menaxhimin e energjisë në nivel bashkie. Ai do të forcojë kapacitetet e bashkive dhe të institucioneve kombëtare për eficiencën energjetike si dhe do të prezantojë teknologji të reja dhe mekanizma financimi për tregun energjetik të Shqipërisë. Projekti është një hap i rëndësishëm në angazhimin e Zvicrës për të mbështetur Shqipërinë në përdorimin eficient të energjisë dhe në adresimin e ndryshimeve klimatike.

Përafërsisht 270,000 qytetarë në 6 bashki të vendit, do të përfitojnë nga përmirësimi i ndriçimit publik dhe ulja e kostove të energjisë.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakVera e kaluar më e nxehta e regjistruar në Evropë
Artikulli tjetërGjykata pranoi ankimimin e Alibeajt, Kaso: Nuk përmbush asnjë kriter