UASHINGTON, 12 prill /ATSH-DPA/ Presidenti amerikan Joe Biden do të njoftojë sot se Agjencia amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA) do të lejojë shitjen e benzinës këtë verë me një përqindje më të lartë të etanolit se karburantet e tjera, sipas zyrtarëve të lartë të administratës.
Ligjvënësit e të dy partive nga Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve kanë nxitur administratën e Biden për të hequr dorë nga kufizimet ndaj karburantit E15, i cili përmban deri në 15% etanol, një biokarburant që rrjedh nga lëndët e para si misri, kallam sheqeri ose bari.
Administrata do ta bëjë këtë njoftim si pjesë e përgjigjes së saj ndaj pushtimit ushtarak rus të Ukrainës, një luftë që çoi në një rritje të çmimit të naftës dhe tronditi tregjet globale të naftës.
“Biden do të njoftojë se administrata po planifikon të lejojë për përdorim të vazhdueshëm gjatë verës, benzinën E15, me një përqindje më të lartë të biokarburanteve në vend të karburantit me bazë nafte”, tha një zyrtar të hënën.
“Administrata e Biden ka marrë një mori vendimesh duke u përpjekur të ulë çmimet e benzinës pas pushtimit rus të Ukrainës, duke përfshirë planet për të shitur 1 milion gallon naftë bruto nga Rezerva Strategjike e Naftës së SHBA-së çdo ditë për 180 ditë dhe një shitje më vete prej 30 milionë fuçi naftë”, sipas një njoftimi më 1 mars.
Biden ka planifikuar të udhëtojë sot në Menlo, Iowa, rreth 45 milje në perëndim të Des Moines, për të vizituar një fabrikë etanoli.
Në një seancë dëgjimore për buxhetin, javën e kaluar, administratori i EPA-s Michael S. Regan, agjencia e të cilit mbikëqyr përdorimin e biokarburanteve, tha se ai kishte folur së fundmi me ministrin e Bujqësisë Tom Vilsack për heqjen e kufizimeve ndaj shitjeve të karburantit E15.
Kufizimet EPA ndalojnë shitjen e karburantit E15 nga 1 qershori deri më 15 shtator në disa pjesë të SHBA-së për shkak të kontributit të kësaj agjencie në ndotjen e ozonit në nivel tokësor ose atmosferikë.
“Agjencia do të lëshojë një urdhër për të hequr dorë nga urgjenca kombëtare dhe për të lejuar shitjen e karburantit E15 gjatë atij harku kohor “afër 1 qershorit”, tha një zyrtar i administratës. //a.i/





















