Ballina Aktualitet

Nano: S’mund të bëhet pis e gjithë Policia nga disa që tradhtojnë uniformën e kolegët

TIRANË, 8 prill /ATSH – I. Vata/ Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano ka reaguar sot në lidhje me operacionin e zhvilluar nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Kosovës në pikën kufitare të Morinës ku 34 punonjës policie janë vënë në masa sigurimi me dyshimin se janë korruptuar duke lejuar kalimin e paligjshëm të qytetarëve dhe kontrabandën e mallrave.

Nano inkurajoi të gjitha agjencitë ligjzbatuese që të vazhdojnë hetimin për punonjës të policisë që abuzojnë me detyrën.

“Sot, është bërë një njoftim zyrtar nga SPAK dhe SHÇBA lidhur me një operacion dhe ekzekutimin e disa masave të sigurisë për punonjës policie dhe shtetas, për shpërdorim detyre dhe vepra të tjera penale. Policia e Shtetit në këtë operacion është angazhuar që në fillim të këtij hetimi duke ndihmuar dhe duke qenë në krah të agjencive të tjera ligjzbatuese pasi, ashtu siç unë e kam përmendur, që në fillim të marrjes së detyrës nga ana ime kam synuar dhe i qëndroj shumë fort pastërtisë së figurës së punonjësve të Policisë. Kërkojmë një Polici me integritet të lartë dhe ata punonjës policie të cilët nuk e gjejnë dot vetën për të bërë realisht dhe me ndershmëri punën duhet të largohen nga forca e Policisë së Shtetit. Nuk mund të bëhet pis gjithë kjo forcë Policie me njerëz të përkushtuar nga disa elemente të cilët tradhtojnë uniformën, shokët dhe kolegët në punë. Unë inkurajoj të gjitha agjencitë ligjzbatuese të vazhdojnë me këtë ritëm verifikimin, marrjen e informacionit dhe hetimet ndaj çdo punonjësi policie që abuzon me detyrën”, tha ai.

Në lidhje me masat e Policisë për festën e Pashkëve, Nano u shpreh se “jemi plotësisht në gatishmëri të plotë për ta përballuar nëse do të ketë fluks në pikat kufitare”.

“Ky është edhe një motiv tjetër pse jemi sot këtu bashkë me drejtorin e Kufirit dhe Emigracionit Gjirokastër dhe drejtorin Vendor të Policisë Gjirokastër. Do t’ju flas për masat e Policisë, sepse masat e doganave i ka Drejtoria e Doganave. Jemi në gatishmëri të plotë për t’iu përgjigjur të gjithë qytetarëve që do të përdorin Pikën e Kalimit Kakavijë, për të hyrë dhe për të dalë, për të kaluar një atmosferë sa më festive dhe për të qënë në shërbim të tyre, për t’iu gjendur me lehtësirat që duhen dhënë në këtë drejtim, me qëllim që atmosfera festive të mos prishet në hyrje apo në dalje të Republikës së Shqipërisë. Jemi plotësisht në gatishmëri të plotë për ta përballuar nëse do të ketë fluks në këtë pikë kalimi apo në çdo pikë tjetër kalimi kufitar“, tha Nano.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit ishte sot në Gjirokastër pas vendimit të këshillit bashkiak që 4 rrugë të qytetit të Gjirokastrës të emërtohen me emrat e Dëshmorëve të Policisë.

“Sot kemi ardhur në Gjirokastër, me propozim dhe iniciativë të Policisë së Shtetit, me miratim të këshillit bashkiak, me mbështetjen e kryetarit të bashkisë Gjirokastër, 4 rrugë të qytetit të Gjirokastrës janë emërtuar me emrat e Dëshmorëve të Policisë të rënë në krye të detyrës. Kjo është një iniciativë e jona që po bëhet realitet në disa qarqe të vendit, për t’i dhënë rëndësinë që meritojnë dëshmorëve të kohëve moderne, të cilët kanë dhënë jetën për të mbrojtur jetë. Kjo do të vazhdojë dhe fatmirësisht kemi gjetur mbështetjen e disa prej bashkive të vendit, ku edhe përceptimi i publik ka qenë shumë pozitiv në këtë drejtim”, tha Nano në një prononcim për mediet.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBRUKSEL – BE ngrin asetet ruse me vlerë 30 miliardë euro
Artikulli tjetërBalla nga Lushnja: Programe sociale në mbështetje të romëve