Ballina Flash

Mesazhe urimi për “Ditën e Verës”

TIRANË, 14 mars/ATSH/ “Dita e Verës”, një festë mbarë shqiptare, kremtohet sot nga veriu në jug të Shqipërisë, por sipas riteve dhe traditës të secilës krahinë.

Kjo festë e lashtë dhe e trashëguar brez pas brezi në vendin tonë, simbolizon ardhjen e stinës së pranverës.

Presidenti Ilir Meta ka përcjellë urimin e tij për Ditën e Verës.

“Një Verë plot shëndet dhe diell. Gëzuar!”, shprehet Meta, ndërsa e ka shoqëruar urimin me një fotografi me simbolin traditë të kësaj periudhe, veroren.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, në urimin sot me rastin e Ditës  së Verës,  shprehet se “kjo është e treta Ditë e Verës nën vështirësitë  e pandemisë, e cila, gjithsesi, u sfidua dhe u mund nga  jeta, gëzimi, besimi, të qenët bashkë dhe dashuria njerëzore”.

“Vështirësive të krijuara prej pasojave të luftës në Ukrainë, do t’u bëjmë ballë të bashkuar, me solidaritet, përgjegjësi, duke ndarë barrën midis shtetit e qytetarëve dhe duke ndihmuar më nevojtarët. Dita e Verës na bën optimistë se ditë më të mira e më të bukura kemi përpara. Gëzuar të gjithë shqiptarëve”, shprehet Nikolla.

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë ka uruar qytetarët shqiptarë për Ditën e Verës.

“Ndërsa festojmë pranverën dhe zgjimin e natyrës, le të jetë kjo ditë një festë për jetën dhe ditët më të mira që do të vijnë. Dhe mos harroni të vendosni një verore dhe të ndani një ballakume”, thuhet në mesazhin e urimit të Delegacionit të BE-së në Tiranë.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj duke uruar të gjithë “Gëzuar Ditën e e Verës”, ka publikuar foto nga kryeqyteti i zbukuruar me motivet e kësaj dite.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNata përmetare për Ditën e Verës, Kumbaro: E kapërcyem zjarrin e dimrit, gati për një stinë të re
Artikulli tjetërFOKUS – Erdogan dhe Mitsotakis ulin tensionet përballë konfliktit ruso-ukrainas