Ballina Flash

Basha: Rritja e çmimeve, emergjencë kombëtare

TIRANË, 10 mars /ATSH – I. Vata/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një komunikim me mediet në hyrje të parlamentit, akuzoi qeverinë se nuk ka marrë asnjë masë për lehtësimin e krizës së çmimeve, veçanërisht të karburanteve.

Për të dalë nga situata e rritjes së çmimeve, Basha tha se duhet hequr sa më shpejt taksa Rama.

“Vetëm këtu qeveria nuk do t’ia dijë, por Edi Rama ia mbath në Dubai, dhe porosit që në media të dalë përgjigjja arrogante kundër qytetarëve. Këtu s’ka asnjë masë. Është ndër vendet më të pakta në botë, ku në raport me çmimin e naftës, ajo që merr qeveria është nga 45-65 %. Kjo është arsyeja se pse çmimi është kaq i lartë. Nuk bëhet fjalë vetëm për automjetet, pasi karburanti është gjaku i ekonomisë, reflektohet tek ekonomia. Pranvera po vjen, por po vjen një dimër i acartë ekonomik. Është qeveria që i do shqiptarët të varfër. Do që në zgjedhjet e ardhshme, 20 mijë lekshi t’i duket 200 mijë lekë. Eliminimi i taksës Rama dhe konsolidimi i ngrirjes apo reduktimit të taksave dhe akcizave të tjera të naftës dhe njësoj si në kohën e pandemisë që çdo hap që do të hidhet në këtë drejtim, që njerëzit të kenë më shumë mundësi që të blejnë më shumë ushqime. Nuk ka më kohë për të pritur. Është një popull i vjedhur. Unë e di që në sinkron, faktorë të ndryshëm kanë për interes ta përqendrojnë kamerën në atë çfarë po ndodh brenda familjes tonë. Do ta bëjmë atë duke nxjerrë në pah vlerat njerëzore. Do e bëjmë me një dialog më të hapur me njëri-tjetrin. Nuk do i iki këtij debati. Sot është dita e konkludimit të inceneratorëve”, tha ai.

/a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakDita e dytë e protestës kundër rritjes së çmimeve
Artikulli tjetërRama: Financojmë 80% të faturës së energjisë me të ardhurat nga taksat