Ballina Aktualitet

Celibashi: Votimi nisi normalisht, problem 3 qendra në Shkodër për shkak të motit

TIRANË, 6 mars/ATSH-Maela Marini/ Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, deklaroi sot në një konferencë për shtyp se, procesi i votimit ka nisur normalisht në të gjitha qendrat e votimit, përveç dy qendrave në Shosh dhe 1 qendre në Pult të Shkodrës, ku nuk ka filluar votimi për shkak të mungesës së komisionerëve, të cilët e kanë pasur të pamundur të shkojnë për shkak të kushteve të motit.

Duke informuar mbi ecurinë e procesit të votimit deri në orën 19:30, Celibashi tha se “në përgjithësi, procesi i hapjes së qendrave të votimit është pa ndonjë problematikë të theksuar”.

“Ne jemi në proces monitorimi të vazhdueshëm të të gjitha qendrave të votimit. Problematika vihen re në 2 qendra votimi në Shosh dhe një qendër votimi në Pult, bashkia Shkodër, ku nuk ka filluar votimi për shkak të mungesës së komisionerëve, që nuk kanë shkuar për shkak të situatës së motit. Në një qendër votimi në Shalë identifikim i votuesve po bëhet manualisht pa pajisjen e identifikimit elektronik”, tha ai.

Celibashi theksoi se në total në Shkodër nga 250 qendra votimi ka filluar procesi në 247, pra në 3 qendra votimi nuk po votohet.

Në Dibër, Celibashi tha se janë 101 qendra votimi dhe tek të gjitha ka filluar procesi i votimit. “Kemi një problem aktualisht në 18 qendra votimi me energjinë elektrike në Kastriot dhe Kala të Dodës për shkak të situatës së reshjeve të dëborës”, tha ai.

Në Durrës, Celibashi tha se ka filluar procesi i votimit në të 337 qendrat e votimit. “Ka një problem në 1 qendër votimi në Durrës ku po kryhet procesi i identifikimit pa pajisjen përkatëse kështu kanë vendosur anëtarët e komisionit”, tha ai.

Në Vorë, Celibashi tha se nga 44 qendrat e votimit janë hapur të 44-ta dhe po votohet normalisht, nuk ka asnjë lloj problemi.

Celibashi theksoi se, në Rrogozhinë ka filluar votimi në të 53 qendrat e votimit.

Në Lushnje, sipas tij, janë 157 qendra votimi dhe po votohet në të 157 qendrat.

Celibashi tha se “kemi të raportuar një incident në Dibër dhe një në Durrës që lidhen me mënyrën se si anëtarët e komisineve të qendrave të votimit administrojnë procesin atje, por janë pa ndikim në procesin e votimit deri tani”.

“Duket se problematika më shumë lidhet me disa qendra votimi në Shkodër dhe Dibër për shkak të situatës atmosferike. Falënderoj komisionerët që në kushte shumë ekstreme të vështira të motit, një pjesë e madhe janë paraqitur në detyrë. Baza materiale ka shkuar brenda afatit që përcakton Kodi Zgjedhor”, tha ai.

Lidhur me bashkinë e Vorës, Celibashi tha se të gjitha qendrat e votimit janë funksionale.

“Në një pjesë të tyre nuk është numri i plotë i anëtarëve të komisionit, por ekziston kuroumi prej 4 anëtarësh të qendrave të votimit. Kemi patur një situatë problematike në lidhje me këtë çështje sepse KZAZ e Vorës nuk pranoi fillimisht propozimet e PD-së për anëtarë. Kemi ndërhyrë si KQZ dhe ju kemi vënë në dispozicion KZAZ-së Vorë një listë të personave që kanë aplikuar për të zëvendësuar anëtarët e komisioneve të qendrave të votimit. Lista është pranuar me vendim të KAS dhe KAS ka vendosur të pranojë emërimin e sekretarëve nga kjo listë”, tha ai.

Celibashi theksoi se “nga pikëpamja ligjore, procesi në bashkinë e Vorës po zhvillohet normalisht, pasi aty janë 4 anëtarë që përbëjnë kuorumin minimal për të zhvilluar procesin e votimit.

Celibashi kujtoi se votimi do të mbyllet në orën 19:00, dhe do të lejohen të votojnë vetëm ata që janë në radhë në atë orë.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakVATIKAN – Papa Françesku: Lumenj gjaku dhe lotësh në Ukrainë, ndaleni këtë çmenduri
Artikulli tjetërDelegacioni i BE-së: 20 ekipe për vëzhgimin e zgjedhjeve të pjesshme