Ballina Flash

Ilaçet helmojnë lumenjtë

NJU JORK, 18 shkurt /ATSH-ANSA/- Nga lumi Amazon në Thames, nga Misisipi në Mekong: lumenjtë e të gjitha kontinenteve tani janë të ndotur nga liaçet, me rreziqe të mundshme për mjedisin dhe shëndetin e njerëzve.

Janë zbuluar dhjetëra substanca: në krye janë karbamazepina, e përdorur për epilepsinë dhe metformina, e përdorur kundër diabetit, sipas një studimi të kryer në mostrat e ujit të marra në mbi një mijë vende përgjatë 258 lumenjve në 104 vende dhe të kushtëzuara nga zakonet e jetesës së mbi 471 milionë njerëzve, sipas ATSH.

Studimi, i koordinuar nga Universiteti i Jorkut, është publikuar në revistën e Akademisë Amerikane të Shkencave (PNAS).

Rezultatet e analizave tregojnë se lumenjtë më të kontaminuar gjenden në vendet me të ardhura të mesme dhe të ulëta, veçanërisht në zonat ku neglizhohet menaxhimi i mbetjeve dhe ujërave të zeza.

Nivelet e larta të ndotjes lidhen me rajonet ku mosha mesatare e popullsisë është më e avancuar dhe ku shkalla e papunësisë dhe varfërisë është më e lartë.

Nga 61 substancat e monitoruara, 53 u gjetën në të paktën një vend kampionimi: nga këto, 4 u vëzhguan në të gjitha kontinentet.

Karbamazepina u gjet në 62% të mostrave (d.m.th. në 652 vende në të gjitha kontinentet përveç Antarktidës), e ndjekur nga metformina (50%) dhe kafeina (50%).

Përqendrimet më të larta të përbërësve aktivë farmaceutikë u vunë re në Afrikën Sub-Sahariane, Azinë Jugore dhe Amerikën e Jugut.

Vendi më i kontaminuar në botë është ai i La Paz-it në Bolivi, përgjatë lumit Rio Seke, me një përqendrim 115 herë më të lartë se ai i lumit East në Nju Jork.

Numri më i madh i substancave (34) u gjet në lumin Kai Tak në Hong Kong. Në të kundërt, Islanda është i vetmi vend ku nuk u gjet as një nga 61 substancat e testuara.

Në përgjithësi, një e katërta e të gjitha vendeve të monitoruara kanë të paktën një substancë farmaceutike mbi nivelin e konsideruar të sigurt për ekosistemin ujor dhe rrezikun e zhvillimit të rezistencës ndaj antibiotikëve. /os/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakShalsi për Komisionin Hetimor të inceneratorëve: Ngjan si gjyqet politike para ’90-ës
Artikulli tjetër2.4 herë më shumë vizitorë 3 muajt e fundit të 2021-shit në veri të vendit