Ballina Flash

Elbasan, mblidhet Këshilli Vendor i Sigurisë Publike

TIRANË, 4 shkurt /ATSH/ Këshilli Vendor i Sigurisë në Elbasan zhvilloi mbledhjen e tij të parë për vitin 2022 për të bërë një analizë të punës së deritanishme dhe për të parashtruar sfidat me të cilat përballet shoqëria përsa i përket çështjeve të sigurisë.

Në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Sigurisë, kryetari i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, pohoi se, “Këshilli Vendor i Sigurisë Publike, synon përmirësimin më tej drejt realizimit të një jetë më të mirë veçanërisht për fëmijët tanë, të cilët janë më të prekur nga probleme të ndryshme sociale”.

“Qëllimi ynë është të planifikojmë, veprojmë për probleme të ndryshme që cenojnë rendin dhe sigurinë e qytetit tonë. Së bashku do  të diskutojmë rreth hapave që duhet të ndërmarrim në fushën e parandalimit dhe trajtimit të abuzimit të substancave narkotike, si edhe trajtimit të rasteve të fëmijëve me situate problematike”, tha Llatja.

“Abuzimet me drogën dhe alkoolin janë ndër shkaqet e abuzimit ndaj grave dhe fëmijëve. Këto forma abuzimi nuk mund të trajtohen të izoluara nga njëra tjetra. Ndaj është e përshtatshme që këtë nismë që kemi nisur sot, ta vazhdojmë gjatë të gjithë vitit”, theksoi Llatja.

“Të gjithë së bashku të bashkojmë forcat dhe kapacitetet për këtë përpjekje fisnike. Të qenit të ashpër ndaj autorëve të krimit është një nga anët e medaljes. Ana tjetër e saj është të identifikojmë shkaqet që çojnë në këto probleme. Sot ne kemi nevojë që të përmirësojmë dhe forcojmë modelet që ndikojnë në përmirësimin e identitetit të këtyre faktorëve që parashikojnë shkallën e konsumit të lëndëve narkotike si edhe situatën e fëmijëve në situatë rruge brenda të gjithë territorit të Bashkisë Elbasan”, tha Llatja.

“Me rëndësi është edhe mirëfunksionimi i Mekanizmit të Koordinimit dhe Referimit të Rasteve të Dhunës në Familje, në Bashkinë Elbasan. Ky mekanizëm ka dhënë një mesazh të qartë se adresimi i çështjeve të dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje është prioritet dhe detyrim ligjor për të gjitha institucionet në nivel vendor”, u shpreh Llatja.

Në takimin e Këshillit Vendor për Sigurinë Publike u prezantua projekti i qeverisë Britanike i cili do të zbatohet në partneritet midis Bashkisë Elbasan dhe grupi Palladium, me qendër në Londër.

Ky projekt synon parandalimin e angazhimit të të rinjve në krimin e organizuar, ngritjen e kapaciteteve të institucioneve dhe anëtarëve të KVSP-së si edhe zhvillimin e përforcimin e partneriteteve të mëtejshme.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBanka e Shqipërisë rishtyp prerjet 10 lekë dhe 5000 lekë
Artikulli tjetërBRUKSEL – Von der Leyen: Paketë solide sanksionesh kundër Rusisë