GJERMANI, 25 janar /ATSH-DPA/- Prodhuesi gjerman i vaksinave BioNTech dhe gjigandi farmaceutik amerikan Pfizer kanë filluar provën e parë klinike për të testuar vaksinën kundër koronavirusit të përshtatur për të luftuar variantin Omicron.
Varianti shumë infektiv Omicron e ka zëvendësuar Delta-n duke u bërë dominues në shumë vende të botës.
Prova që përfshin rreth 1,420 persona do të testojë sigurinë, tolerancën dhe efikasitetin e kandidatit për vaksinë, njoftuan sot dy kompanitë.
Grupi i parë përfshin 600 pjesëmarrës të cilët e kanë kryer tashmë dozën e dytë të vaksinës së mëparshme.
Grupi i dytë përbëhet nga persona që e kanë bërë dozën e tretë përforcuese, që do të marrin një dozë tjetër të vaksinës konvencionale ose një dozë të vaksinës Omicron.
Grupi i tretë, më i vogël, jo më shumë se 200 subjektesh, përbëhet nga persona të pavaksinuar që nuk janë infektuar më parë me Covid-19, të cilët më pas do të marrin tre doza të vaksinës Omicron.
“Studimi është pjesë e qasjes sonë shkencore për të zhvilluar një vaksinë të bazuar në variantin që siguron mbrojtje nga Omicron të ngjashme me atë që kemi vërejtur me variantet e mëparshme, por në të njëjtën kohë zgjat më shumë”, tha shefi i BioNTech, Ugur Sahin.//a.i/




















