SEUL, 17 janar /ATSH-DPA/-Koreja e Veriut ka lëshuar sërish raketa drejt detit, njoftoi sot ushtria e Koresë së Jugut.
Dy raketa u lëshuan në drejtim të lindjes drejt detit nga aeroporti Sunan në kryeqytetin Phenian, tha Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Koresë së Jugut.
Besohet se ato ishin raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi. Nuk është ende e qartë sesa larg kanë fluturuar.
Rezolutat e OKB-së e ndalojnë Korenë e Veriut të testojë raketa balistike, disa prej të cilave janë të afta të mbartin koka bërthamore.
Nisja e fundit është testi i katërt raketor i Koresë së Veriut që nga fillimi i vitit.
Ekspertët në Korenë e Jugut thanë se, me sa duket Koreja e Veriut u përpoq të demonstronte forcën ushtarake dhe të provonte aftësinë e saj për të lëshuar raketa nga vende dhe platforma të ndryshme.
Koreja e Veriut tha se, ka lëshuar të premten dy raketa nga një sistem raketash balistike të montuar në tren.
Nisja e raketës u krye pasi Departamenti i Thesarit i Shteteve të Bashkuara vendosi sanksione të reja kundër regjimit në Phenian, duke shënjestruar në mënyrë specifike pesë koreano-veriorë të akuzuar për blerjen e armëve të shkatërrimeve masive dhe programeve që lidhen me raketat balistike të vendit të tyre. //a.i/












