TIRANË, 11 dhjetor/ATSH/ Drejtoresha e përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI, Linda Karçanaj mori pjesë në panelin e tretë dhe përmbyllës “Shërbimet Publike me IA; Mundësitë dhe Kufizimet”, ku theksoi se “me një bazë ligjore të fortë për aplikimin e IA-së, Shqipëria synon të pozicionohet si lider rajonal në digjitalizim dhe transformim teknologji”.
Në këtë tryezë ishin të pranishëm edhe Genci Hamzaj, drejtues i Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit të Kosovës, Adrian Kamenica, drejtor i përgjithshëm i Departamentit për Politikën dhe Integrimin Europian pranë Kryeministrisë, Jonaid Myzyri, drejtues i Komisionit të Prokurimit Publik dhe Enio Kaso, drejtor i Drejtorisë së Inteligjencës Artificiale pranë AKSHI-t, me moderimin e përfaqësuesit të Bankës Botërore, Simon Carl O’Meally.
“Me kolegët panelistë folëm mbi implementimin e Inteligjencës Artificiale në e-Gov dhe çfarë kemi arritur deri më tani: Administratë më efikase, shërbime më të avancuara. Projekti inovativ Asistenti Virtual e-Albania ka arritur një pikë të rëndësishme, me 1 milion pyetje të përgjigjura, dhe brenda pak ditësh do të marrë jetë edhe versioni 2.0 i tij, me komunikim zanor dhe vizual në gjuhën shqipe”, tha Karçanaj në një postim në rrjetet sociale.














