Ballina Flash

DPA, marrëveshje bashkëpunimi me arkivat e Malit të Zi

TIRANË, 6 dhjetor/ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe Arkivat Shtetërore të Malit të Zi nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi që i hap rrugën shkëmbimit të dijeve, përvojave dhe dokumenteve me interes të ndërsjellë.

Në ceremonialin e mbajtur në Cetinjë, ishin të pranishëm drejtori i Përgjithshëm i DPA-së, Ardit Bido, homologu i tij malazez Danilo Mrvaljević, ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi, Zhaklina Peto, përfaqësues të tjerë diplomatikë dhe të ftuar. Në fjalën e tij përshëndetëse, Mrvaljević theksoi rëndësinë e kësaj marrëveshjeje, duke e konsideruar si një mundësi të shkëlqyer për intensifikimin e shkëmbimit të dokumentacionit dhe të informacionit midis dy vendeve.

Në fjalën e tij të rastit, Bido u shpreh se në sajë të kësaj marrëveshjeje synohet t’i jepet një hov zhvillimit të arkivave bashkëpunëtore, në mënyrë që të arrijnë standartet ndërkombëtare.

Ndërkaq, ambasadorja Peto e cilësoi marrëveshjen e bashkëpunimit, si një hap të rëndësishëm në forcimin e lidhjes historike dhe kulturore të dy vendeve.

Në bazë të parimit të reciprocitetit, DPA-ja dhe simotra malazeze ndërmarrin shkëmbimin e specialistëve, në funksion të kryerjes së kërkimit të përbashkët dhe studimit të materialeve arkivore pa pagesë. Kjo marrëveshje ka një vlefshmëri të pacaktuar dhe mund të ndërpritet, në varësi të vullnetit të palëve, pa ndikuar në vijueshmërinë e projekteve në proces zbatimi.

Në qershor të këtij viti, në kuadrin e aktiviteteve që u mbajtën me rastin e 75-vjetorit të themelimit të saj, DPA-ja nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me Shërbimin Shtetëror Arkivor të Ukrainës, duke siguruar shkëmbimin e dokumentacionit që hedh dritë kryesisht mbi rolin e mërgatës shqiptare në Odesë, gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare. Po ashtu, formalizoi bashkëpunimin me Arkivin e Bosnjë Hercegovinës, për të pasur qasjen mbi dokumentet lidhur me veprimtarinë e komunitetit shqiptar të atjeshëm. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakShmangën mbi 8.8 milionë lekë taksa, Prokuroria e Fierit dërgon për gjykim shoqërinë “Erblen” dhe administratorin
Artikulli tjetërRUMANI – Kandidati presidencial i ekstremit të djathtë planifikon t’i japë fund ndihmës për Ukrainën