BUDAPEST, 22 nëntor /ATSH-ANSA/ – Kryeministri hungarez Viktor Orban, vendi i të cilit mban presidencën e rradhës të BE-së, ka njoftuar se do të ftojë homologun e tij izraelit Benyamin Netanyahu për të protestuar kundër urdhrit të arrestit të lëshuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC).
“Nuk kemi zgjidhje tjetër veçse ta kundërshtojmë këtë vendim”, theksoi Orban.
”Unë do ta ftoj Netanyahun të vijë në Hungari, ku mund ta siguroj se vendimi i ICC nuk do të ketë efekt,” tha ai në një intervistë për radion shtetërore.
Në Itali, të njëjtin mendim ndan edhe zëvendëskryeministri Matteo Salvini.
“Kam në plan të takoj së shpejti përfaqësuesit e qeverisë izraelite dhe nëse Netanyahu do të vinte në Itali do të ishte i mirëpritur. Kriminelët e luftës janë të tjerët. Nuk do të hyj në meritat e dinamikës ndërkombëtare. Izraeli ka qenë i sulmuar për dekada, qytetarët izraelitë kanë jetuar me makthin e raketave dhe me bunkerë nën shtëpitë e tyre për dekada, tani thonë se krimineli i luftës është kryeministri i një prej demokracive të pakta që ka në Lindjen e Mesme”, theksoi Salvini.
”Më duket mungesë respekti … e rrezikshme sepse Izraeli jo vetëm mbron veten, por mbron edhe liritë, demokracitë dhe vlerat perëndimore. Më duket e qartë se është një zgjedhje politike e diktuar nga disa vende islamike që janë shumicë në disa institucione ndërkombëtare”, vuri në dukje Salvini. /os/






















