Ballina Ekonomi

Skema e pensioneve, Manjani: Qeveria po financon 500 milionë euro nga buxheti i shtetit

TIRANË, 1 nëntor  /ATSH/ Zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani u shpreh sot se, shpjegimi i skemës së pensioneve dhe funksionimi i saj, ka në fokus ndërgjegjësimin e punëmarrësve dhe punëdhënësve për pagesat e kontributeve shoqërore, si faktor i rëndësishëm për të furnizuar skemën e pensioneve.

Në një takim me pensionistët e Korçës për të diskutuar me ta mbi skemën e pensioneve, Manjani tha se, “nga viti 2013 kur filluam reformën e fundit të skemës së pensioneve dhe e deri në 2024, është arritur që edhe nëpërmjet fushatave të ndërgjegjësimit skemës i janë shtuar rreth 290 mijë kontribuues”.

Ajo theksoi se është e rëndësishme që jo vetëm të paguhen sigurimet shoqërore por të paguhen edhe mbi një bazë reale, pra jo vetëm paga për vitet e punës, por edhe e masës që paguhen këto kontribute.

Manjani tha se, skema e sigurimeve është sot në fakt një skemë deficitare.

“Pra shpenzimet për 705 mijë pensionistë, mbulohen nga rreth 500 milionë euro nga buxheti i shtetit. Çdo vit numri i pensionistëve shtohet me 15 -18 mijë pensione të reja dhe vitin tjetër do të kemi rreth 720 mijë pensionistë dhe kjo do të jetë një barrë e shtuar në skemën e pensioneve. Ndërkohë arsyeja pse pensionet janë të ndryshme lidhem me masën e kontributeve që janë derdhur, deklaroi Manjani.

Manjani shpjegoi se për të përfituar një pension minimal duhet 15 vite punë, për të përfituar një pension të plotë duhen 38 vite.

“Vihet re, se ka rënë dhe mosha mesatare e kontributeve kundrejt skemës. Nëse para 10 vitesh kundrejt skemës kontribuohej me 33 vite punë tashmë është 6 vite më pak është 27 vite punë dhe kjo lidhet me faktorë të ndryshëm. Ndaj apeli dhe fushata jonë, është që në moshë aktive pune të vijohet me kontribute kundrejt skemës”, deklaroi ajo. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama: Ata që premtojnë pensione 400 apo 1 mijë euro janë maskat e Sudes
Artikulli tjetërManja pret homologen e Kosovës: Dakordësi për marrëveshjen teknike mes dhomave të Ndërmjetësimit