Ballina Aktualitet

Hapja e negociatave me BE për grup-kapitullin e parë, Manja: Moment vendimtar i integrimit

TIRANË, 12 tetor /ATSH/ 15 tetori do të shënjojë një hap të rëndësishëm për vendin tonë sa i takon rrugëtimit europian. Shqipëria do të hapë negociatat me Bashkimin Europian për grup-kapitullin e parë. Takimi do të jetë në nivel ministror  në Luksemburg, ndërsa po në këtë datë mbahet edhe konferenca e dytë ndërqeveritare BE-Shqipëri.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja e cilësoi sot në një postim në rrjetet sociale, një moment vendimtar të procesit të integrimit të Shqipërisë.

Ai tha se, Ministria e Drejtësisë si institucioni kyç për Kapitullin 23 (Shteti i së Drejtës, Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore) shpreh angazhimin për udhëheqjen me përgjegjësi të procesit.

“Në këtë moment vendimtar të procesit të integrimit në prag të zhvillimit të Konferencës së Dytë Ndërqeveritare, Ministria e Drejtësisë si institucioni kyç për Kapitullin 23 (Shteti i së Drejtës, Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore) dhe Kriteri Politik për Funksionimin e Institucioneve Demokratike shpreh krenarinë dhe angazhimin për udhëheqjen me përgjegjësi të proceseve në vazhdimësi”, shkroi Manja. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKOMENT – Çmimi Nobel për Paqen, një kujtesë në kohë për banorët e Hiroshimës
Artikulli tjetërMuzhaqi: Mbështetje të rinjve për angazhim në vendimmarrje