Ballina Flash

Lufta e Vlorës e 1920-ës për mbrojtjen e integritetit tokësor të Shqipërisë

TIRANË, 3 shtator/ATSH/ Më 3 shtator të vitit 1920 përfundoi Lufta e Vlorës, një cikël betejash i patriotëve shqiptarë kundër forcave ushtarake italiane të cilat që më 9 dhjetor 1919 kishin marrë nën protektorat Shqipërinë, pas vendimeve të dala nga Konferenca e Paqes në Paris.

Të revoltuar nga kjo padrejtësi, më 29 janar 1920 u mblodh “Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare Vlorë”.

Sulmi ndaj garnizonit italian filloi që më 6 qershor 1920. Në këto luftime morën pjesë rreth 20.000 trupa. Sulmet u zhvilluan në disa lokalitete si në gjirin e Vlorës, Ujin e Ftohtë, Vlorë-Kaninë, Panaja, Llogora, Himarë, Selenicë, Gjorme, Matohasanaj, Tepelenë. Me përfundimin e Luftës së Vlorës, garnizonet italiane u tërhoqën edhe nga Saranda, Durrësi e Shëngjini.

Luftëtarë vinin nga të gjitha zonat e Shqipërisë si dhe nga shqiptarët e Amerikës të cilët drejtoheshin nga 12 komandantë nën drejtimin e përgjithshëm të Qazim Koculit. Në zonën e çliruar, Drashovicë, u vendos shtabi i luftës me prefekt Qazim Kokoshin.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton në një postim të sajin edhe moton që shoqëroi luftëtarët e Vlorës dhe që ishte huazuar nga vargjet e Lasgush Poradecit “Ja do mbetet Vlora e jona, ja do bëhet gur e hi”.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak105 operacione policore dhe 560 shtetas në pranga në gusht
Artikulli tjetërSerbët sërish protestojnë kundër mbylljes së institucioneve paralele