Ballina Flash

“Territor i pastër”, asgjësohen mbi 2400 bimë kanabis në Shkodër

TIRANË, 29 gusht /ATSH/ Në kuadër të megaoperacionit policor antikanabis “Territor i pastër” që ka si objektiv parandalimin, konstatimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të komisariateve në varësi të saj, kanë vijuar intensivisht kontrollet në të gjithë territorin e qarkut.

Policia e Shtetit njofton se, gjatë kësaj faze të megaoperacionit shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër gjetën në territorin e njësive administrative Pult, Shalë dhe Postribë, dhe asgjësuan 606 bimë kanabis.

Gjithashtu shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe gjetën në territorin e njësisë administrative Shkrel dhe asgjësuan 531 bimë kanabis.

Ndërsa shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës në territorin e njësisë administrative Shllak asgjësuan 1312 bimë kanabis.

Policia njofton se, vijon puna për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të kultivimit të këtyre bimëve narkotike.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNisma “Ditët Kulturore Shqiptare 2025”, Pipa: Forcim i lidhjeve me diasporën
Artikulli tjetërSegmenti 3 i Qukës-Qafë Plloçë, kryhen 66 % e punimeve fizike