Ballina Bota

POLONI – Tusk: Mbështes Modin në rolin e ndërmjetësit midis Ukrainës dhe Rusisë

VARSHAVË, 22 gusht /ATSH-DPA/- Kryeministri polak Donald Tusk tha se ai mbështet kryeministrin indian Narendra Modi në rolin e ndërmjetësit midis Ukrainës dhe Rusisë.

“Jam shumë i kënaqur që kryeministri ka rikonfirmuar gatishmërinë e tij për të punuar personalisht për një fund paqësor, të drejtë dhe të shpejtë të luftës”, tha Tusk në Varshavë pas bisedimeve me Modin.

Modi tha gjatë një konference për shtyp se ai besonte se konflikti nuk mund të zgjidhej në fushën e betejës.

India angazhohet diplomatikisht me Ukrainën dhe Rusinë – dhe ka kritikuar vazhdimisht sanksionet perëndimore ndaj Moskës.

Modi ka qenë i prirur të shihet si një paqebërës midis palëve ndërluftuese.

Ai u takua me presidentin rus Vladimir Putin pranë Moskës në korrik. Video e dy liderëve të përqafuar shkaktoi habi në Evropë dhe Uashington, veçanërisht pasi erdhi menjëherë pas një sulmi vdekjeprurës rus në një spital pediatrik në Kiev.

Analistët thanë se kjo tregon dështimin e përpjekjeve të fuqive perëndimore për të izoluar Putinin në vazhdën e pushtimit të tij të plotë të Ukrainës.

Modi ka planifikuar të udhëtojë nga Varshava në Kiev, ku është planifikuar të takohet me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Vizita e Modit në Poloni ishte e para nga një kryeministër indian që nga viti 1979.

Polonia është një mbështetëse kryesore ushtarake e Ukrainës. Vendi anëtar i BE-së dhe NATO-s luan gjithashtu një rol kritik si një qendër logjistike për ndihmën perëndimore për Kievin. //a.i/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMOSKË – Putini akuzon Ukrainën për tentativë për sulm bërthamor pa prova
Artikulli tjetërBasha: KLSH-në do të shndërrojmë në Gjykatë të Kontrollit të Shtetit