PRISHTINË, 21 gusht /ATSH/ Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier deklaroi se përkushtimi i ShBA-së ndaj popullit të Kosovës mbetet po aq i fortë e i hekurt si gjithmonë.
Këto komente Hovernier i bëri sot për mediet pas nënshkrimit të marrëveshjes me USAID-in në vlerën e 35.5 milionë dollarëve.
Megjithatë shtoi se “po përballemi me disa sfida me qeverinë e tanishme të Kosovës të cilat kanë ndikuar në cilësinë e partneritetit tonë”.
“Shumë prej jush keni parë raportin në media për dallimet tashmë ndërmjet SHBA dhe anëtarëve të tjerë të bashkësisë ndërkombëtare me Qeverinë e Kosovës për disa veprime që janë të udhëhequra me qeverinë e kryeministrit Kurti. Po përballemi me disa sfida me qeverinë e tanishme të Kosovës të cilat kanë ndikuar në cilësinë e partneritetit tonë. Ashtu siç tha Zëvendësi i Departamentit të Shtetit më herët, Qeveria amerikane shpreson se qeveria e Kosovës do t’i kthehet angazhimit të ngushtë dhe konstruktiv me SHBA-në, BE-në, NATO-n dhe partnerët tjerë ndërkombëtar të Kosovës. Por edhe pse disa fusha të bashkëpunimit me qeverinë e tanishme të Kosovës mbesin më pak pozitive se ato që do të kishim shpresuar. Përkushtimi i SHBA-së ndaj popullit të Kosovës mbetet po aq i fortë i hekurt si gjithmonë”, tha Hovenier.
/KosovaPress/























